Vëllezërit Veshaj nisin emisionin e ri jashtë Top Channel, e fillojnë me një “thumb” të hapur për Ledionin

Pas një rrugëtimi të gjatë dhe me shumë dinamika në ekranin e Top Channel, përfshirë edhe formatin e “Big Brother VIP”, Romeo dhe Donald Veshaj janë rikthyer sërish për publikun, por këtë herë me rregullat e tyre.

 

Dyshja ka lancuar projektin e tyre më të ri të pavarur, një media online e quajtur X-Media. Kjo platformë do të përfshijë rubrika dhe formate të ndryshme, ku vëmendjen kryesore e merr emisioni i tyre i përjavshëm “Më lër të mbaroj”, i cili do t’i rikthejë vëllezërit në moderim çdo të shtunë.

Mirëpo, ajo që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e ndjekësve ka qenë pikërisht biseda hapëse mes dy vëllezërve në puntatën e parë.

Ata nuk kanë humbur kohë për të hedhur një “thumb” mjaft të qartë dhe të drejtpërdrejtë, që rrjeti e ka interpretuar menjëherë si një goditje ndaj Ledion Liços dhe produksioneve të kaluara ku ata kanë qenë pjesë.

Gjatë shkëmbimit të batutave për të festuar këtë nismë të re, Donaldi dhe Romeo u shprehën hapur:

Donaldi: “S’na censuron njeri këtu Romeo.

Romeo: “Ke të drejtë.

Donaldi: “Vetë Zot, vetë shkop. Gëzuar dhe urime. Sa kohë kisha që e prisja këtë…”

Kjo deklaratë e fortë për ndjesinë e lirisë, mungesën e censurës dhe të qenit “zot i vetvetes”, tregon qartë se binjakët kanë pasur pakënaqësi të mbartura nga eksperienca e fundit.

Me këtë lëvizje, ata kanë zgjedhur të hapin një kapitull të ri, duke e nisur rrugëtimin e tyre me një mesazh të prerë për ata që kanë lënë pas.