“Tërmet politik”| Vjosa Osmanit i publikohet kjo video nga Lirim Mehmetaj

Kur në gusht të vitit 2019, Vjosa Osmani mori bekimin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të qenë kandidate për kryeministre, u krijua përshtypja se beteja e brendshme për pushtet kishte marrë fund dhe se ngjitja e Osmanit në majën e partisë po fillonte.

 

Por ajo që u shfaq si konsolidim e bashkim, ishte vetëm një iluzion, një qetësi e shkurtër para përçarjes së madhe.

Vjosa Osmani braktisi shtëpinë që e rriti politikisht dhe ndoqi ambicien personale për pushtet nën autoritetin real të Albin Kurtit.

 

Kjo rrugë e re e zonjës Osmani do të ishte një goditje për shtëpinë politike të Ibrahim Rugovës – duke e përjetuar pikën e saj më të ulët të përkrahjes popullore.

Gjashtë vjet më vonë, historia u kthye mbrapsht.

Zonja Osmani, e përjashtuar nga kalkulimet për një mandat të ri presidencial nën Albin Kurtin, të cilit i ishte afruar politikisht deri në devotshmëri, ka filluar të shfaqë sinjale të rikthimit në shtëpinë e vjetër politike.

Një shtëpi që, përkundër përpjekjeve për reforma e ndryshim, nuk ka gjetur rrugën e fitores, kjo edhe për shkak të makinacioneve të Osmanit në favor të Vetëvendosjes e në dëm të LDK-së.

Në vitin 2020, kur përplasja mes Albin Kurtit dhe LDK-së arriti pikën e thyerjes me shkarkimin e ministrit Agim Veliu e më pas Avdullah Hotit, qeveria VV–LDK u shemb.

Në atë moment, ajo u rreshtua në anën e Kurtit dhe kundër mocionit të mosbesimit, duke hyrë në një trajektore të re politike, larg LDK-së dhe afër narrativës së Vetëvendosjes, edhe pse më herët e kishte sulmuar për mendësi autoritare të llojit të Hugo Chavezit në Venezuelë.

“Më akuzojnë se unë po e tradhtoj LDK-në dhe kërkojnë largimin tim nga LDK-ja… Dikush edhe mund të flasë në emër te LDK-së në aspektin legal, por e kam të drejtën e plotë morale të flas në emër të elektoratit të LDK-së”.

Ajo që dikur betohej se kurrë nuk do ta braktiste filozofinë e LDK-së dhe kryetarit të saj historik u rreshtua për pushtet me njeriun që për Ibrahim Rugovën dikur thoshte se….

“Unë nuk mendoj se ajo është Lidhje Demokratike. Ajo është një parti autoritare e cila e ka në krye një njeri që 12 vite, zotin Rugova, i cili nuk është dëshmuar me suksese në politikë”.

Nëse dikur zonja Osmani betohej të mos e braktiste, kaloi më pas në deklarimin e ndarjes përfundimtare me LDK-në, raporton Vox Kosova.

“Përgjigjja konkrete e kësaj është vendimi i tyre i 20 qershorit për të më përjashtuar. Kështu që aty ka përfunduar gjithçka”.

Në përpjekje për të ndërtuar besnikëri politike, zonja Osmani nisi të justifikojë edhe qëndrimet mëhershme ndaj Kurtit dhe për to e fajësonte LDK-në.

“Duke u bazuar në ato konstruksione që ndërtoheshin në partinë kur isha, por edhe nga njerëz të tjerë.

Nga LDK-ja, po thoni, ka pasur konstruksione për zotin Kurti?

Dhe ka ende”.

Aq fort u servilos, sa ishte në gjendje që, ashtu siç mendonte Kurti, Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar nga Avdullah Hoti në Zyrën Ovale me prezencën e presidentit Donald Trump e quante kundër rendit kushtetues.

“Fatkeqësisht, duke pranuar moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për konsolidimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar”.

Në betejën e çuditshme dhe të panevojshme të Vetëvendosjes për të tensionuar raportet me Kryeministrin e Shqipërisë, zonja Osmani do të shërbente si një snajperiste e Kurtit për ta sulmuar Edi Ramën, madje në shtëpinë e tij.

“Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria”.

Por, “what goes around, comes around”, siç do të kishte dëshirë të shprehej zonja Osmani.

Tash, kur po e shijon braktisjen nga ata që u shërbeu pesë vjet, në realitetin e ri politik të saj, Vetëvendosja është një armatë që linçon, e Kurti njeri i rrezikshëm.

Dhe të këqijtë e dikurshëm, Donald Trump dhe administrata e tij, tash përfaqësojnë siguri e garanci për Kosovën, Edi Rama një mik i shkëlqyer, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që e injoronte, një emër kurdoherë për t’u përmendur, e LDK-ja, një trampolinë e përhershme për karrierën e saj politike.

Dredhimet e Osmanit në jetën publike, thënë së buti, mund të konsiderohen politikisht tradhtare e moralisht kriminale.

Ajo lëviz nëpër partitë politike, e diktuar krejtësisht nga nevoja personale për pushtet, dhe këto lëvizje i bën e i ka bërë gjithmonë përmes gënjeshtrave, mashtrimeve e pabesisë.

Dhe sa herë i rrezikohet pushteti, që ajo beson se e ka me tapi nga e kaluara, asaj i përndizet dëshira për të kryer mashtrimin e radhës, pabesinë e radhës, skemën e radhës.

Si presidente, kinse e popullit, në vend se të shqetësohej për unitetin e skenës politike, Osmani u shqetësua vetëm për unitetin e pasurisë së saj, derisa s’e kishte problem të përkthehej në veglën e mprehtë të Albin Kurtit për të prerë këdo që ua bezdiste kolltukun e rehatshëm të pushtetit.

Vetëm pasi u braktis nga Albin Kurti, filloi të pëshpëriste diçka kundër tij, por edhe kritikën aktuale e bën me kujdes të shtuar e me kalkulim të madh, sepse ende nuk është e sigurt se cila anë ia mban derën hapur ndaj pasurisë që ajo vazhdon ta lakmojë aq fort, e pushtetit me të cilin nuk ngopet dot.

LDK e shkretë, e gjendur në situatë të dëshpërimit të madh, mbase sërish e pranon Osmanin, por e kaluara e saj vërteton se edhe kjo lëvizje e saj është e llogaritur krejtësisht mbi nevojën individuale për pushtet.

 

VIDEO KETU