Pas 19 viteve angazhim, largohet nga Haradinaj dhe AAK-ja

Pas një rrugëtimi të gjatë politik prej vitit 2007 deri më 2026, Yll Bogaj ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

 

Në një deklaratë publike, Bogaj theksoi se gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë i angazhuar me seriozitet, përkushtim dhe punë të palodhshme, duke besuar se po kontribuonte për qytetarët dhe për vlerat që ka mbrojtur vazhdimisht. Megjithatë, ai shprehet i zhgënjyer me zhvillimet e fundit brenda subjektit, duke vlerësuar se procesi i reformave të brendshme nuk ka reflektuar kontributin dhe sakrificën e tij.

“Largimi nuk më dhemb sa zhgënjimi nga njerëz dhe qëndrime prej të cilave kam pritur korrektësi dhe besim”, thuhet në reagimin e tij, ku shton se përballja e përkushtimit dhe lojalitetit me, siç e quan ai, “pabesi”, e ka bërë të pamundur vazhdimin e heshtjes.

Bogaj thekson se dorëheqja e tij nuk nënkupton tërheqje nga politika apo nga angazhimi ndaj qytetarëve. Ai ka bërë të qartë se do të vazhdojë të jetë aktiv politikisht dhe do të mbajë përgjegjësitë e tij në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

“Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër”, përfundon ai, duke falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët që, sipas tij, kanë qenë korrektë dhe të sinqertë gjatë rrugëtimit të përbashkët.