Pas plot 120 ditësh izolim, sfidash të forta psikologjike dhe një rrugëtimi me plot ulje e ngritje, Selin u kurorëzua më në fund fituese. Ajo ngriti lart çekun e shumëlakmuar prej 100 mijë eurosh, duke mbyllur me sukses një nga aventurat më të komentuara. Por, ku do të përfundojnë vërtet këto para?
Siç e ka thënë edhe vetë, një pjesë e këtij buxheti do të shkojë për bamirësi, ndërsa pjesa tjetër do t’i dedikohet qëllimit të saj më të madh thellësisht personal: bashkimit të familjes.
Gjithsesi, në llogarinë e saj nuk do të kalojë e gjithë shuma e premtuar në ekran. Sipas ligjit shqiptar, fitimet nga spektaklet televizive tatohen me 15 për qind në burim. Bëni llogaritë: nga 100 mijë eurot e finales, shteti mban 15 mijë, duke i lënë asaj në xhep saktësisht 85 mijë euro.
Megjithatë, kjo shifër është vetëm fillimi. Si imazhi më i kërkuar i momentit, kontratat, reklamat dhe bashkëpunimet e panumërta komerciale, me shumë gjasa, do ta kalojnë me lehtësi shifrën e fituar nga vetë çmimi televiziv.
Ndërkohë, një detaj që nuk kalon pa vëmendje është fakti se çmimi i këtij spektakli ka mbetur i ngrirë që nga sezoni i parë. Kjo vjen si një kontrast i plotë me formatet e tjera si Big Brother VIP Kosova apo Ferma VIP, ku fituesi këtë vit arkëton dukshëm më tepër nga produksioni.
Lind natyrshëm pyetja: a duhet të fitojë më shumë një fitues i këtij formati apo edhe kaq janë mëse boll?/ Prive By Liberta Spahiu