“Pritet ulje e mëtejshme e çmimeve të karburanteve”

Qeveria, në mbledhjen e sotme, mori vendim për vazhdimin e masës për uljen e akcizës për derivatet e naftës, e cila do të vlejë deri më 4 maj, me qëllim zbutjen e presioneve ekonomike dhe stabilizimin e çmimeve në treg.

 

Sipas përllogaritjeve të Qeverisë, pritet që Komisioni Rregullator për Energjetikë të marrë vendim për ulje shtesë të çmimeve me pakicë të karburanteve, mesatarisht rreth 1.5 denarë për litër.

Me vazhdimin e masës, mbetet në fuqi ulja e akcizës për naftën (dizelin) për 4 denarë për litër, si dhe ulja për benzinat 95 dhe 98 oktanë për 2 denarë për litër. Nga Qeveria theksojnë se kjo ndërhyrje ka efekt të drejtpërdrejtë në uljen e kostos së jetesës dhe në amortizimin e presioneve inflacioniste.

Përveç kësaj, është marrë edhe vendim për ndryshimin e normës preferenciale të TVSH-së, ku norma prej 10% do të vazhdojë të vlejë për benzinat, ndërsa për produktet e tjera rikthehet norma e rregullt prej 18%.

Në njoftim theksohet se Qeveria mbetet e përkushtuar për të balancuar me kujdes mes mbështetjes së qytetarëve dhe ruajtjes së stabilitetit fiskal, duke vazhduar monitorimin e situatës dhe reagimin në kohë.

Njëkohësisht, mbetet në fuqi edhe mekanizmi i dakorduar me kompanitë e naftës, i cili parashikon ulje shtesë prej 3 denarësh për litër për dizelin dhe 2 denarësh për litër për benzinat. Kjo krijon një efekt kumulativ në uljen e çmimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në kostot e transportit dhe stabilitetin ekonomik.