Sipas burimeve të afërta me Gazeta Minuti, brenda Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdojnë përplasjet e brendshme lidhur me mundësinë e një koalicioni me Lëvizja Vetëvendosje.
Burimet bëjnë të ditur se tre deputetë të njohur të LDK-së, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti dhe Janina Ymeri, janë shprehur kategorikisht kundër një marrëveshjeje me LVV-në.
Sipas këtyre burimeve, qëndrimi i tyre nuk është i ri. Të tre deputetët kanë qenë kritikë të vazhdueshëm ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke kundërshtuar politikat dhe mënyrën e qeverisjes gjatë gjithë mandatit të saj. Pikërisht këto qëndrime të forta publike e bëjnë edhe më të vështirë një ndryshim të kursit të tyre në këtë fazë.
Brenda LDK-së raportohet se po zhvillohen diskutime intensive për opsionet e krijimit të institucioneve, por mungesa e unitetit në grupin parlamentar po shihet si një pengesë serioze. Mos-siguria e mbështetjes nga këta tre deputetë mund t’ia zbehë ndjeshëm fuqinë negociuese kryetarit Lumir Abdixhiku përballë Kurtit dhe LVV-së.
Në këtë situatë, çdo marrëveshje eventuale mbetet e pasigurt, pasi një pjesë e rëndësishme e LDK-së duket e vendosur të mos e mbështesë një koalicion të tillë. Zyrtarisht, partia ende nuk ka dalë me një qëndrim përfundimtar, ndërsa zhvillimet e ditëve në vijim pritet të jenë vendimtare për drejtimin politik që do të marrë LDK-ja.