Tri banesa, tri garazha, një shtëpi, vetura e tokë/ Kjo është pasuria e Bedri Hamzës dhe gruas së tij

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar një portofol të gjerë të pasurisë së paluajtshme, që përfshin banesa, shtëpi, tokë dhe disa garazhe, sipas deklarimit të fundit të pasurisë.

Sipas të dhënave të deklaruara, Hamza figuron pronar i një banese 120 metra katrorë të blerë në vitin 2011 në vlerë prej 70 mijë eurosh, e cila është siguruar përmes shitjes së një banese në Mitrovicë dhe një kredie bankare. Po ashtu, ai posedon edhe një banesë tjetër prej 98 metrash katrorë të blerë në vitin 2007 me vetëfinancim, në vlerë prej 46 mijë eurosh, shkruan FrontOnline.

Në listën e pasurive përfshihen edhe disa garazhe: një garazh 16 m² i blerë në vitin 2022 me vetëfinancim në vlerë 4 mijë euro, një tjetër garazh 30 m² i siguruar në vitin 2018 nga të ardhurat personale me vlerë 8 mijë euro, si dhe një garazh 35 m² i trashëguar dhe i renovuar në vitin 2021 me vlerë të deklaruar 2,700 euro.

Hamza ka deklaruar gjithashtu një tokë prej 1 hektari të trashëguar në vitin 2000, me vlerë të vlerësuar 50 mijë euro, si dhe një shtëpi 72 m² të trashëguar dhe të renovuar në vitin 2021, në vlerë prej 25 mijë eurosh.

Në pasurinë e tij përfshihet edhe një banesë 60 m² në pronësi të bashkëshortes, e blerë në vitin 2019 me kredi dhe të ardhura personale, në vlerë prej 39 mijë eurosh.