Një familje nga Zvicra, e cila disponon një pasuri prej më shumë se 15 milionë frangash zvicerane (rreth 16 milionë euro), ka marrë një vendim të pazakontë – të dhurojë pothuajse të gjithë pasurinë e saj. Në vend të një jete luksoze, ata kanë zgjedhur ta orientojnë kapitalin drejt qëllimeve me dobi shoqërore.
Siç raporton Blick, vendimi nuk është marrë brenda natës, por është rezultat i një reflektimi afatgjatë mbi vlerat, përgjegjësinë dhe të ardhmen e planetit.
Nëna, 64-vjeçare dhe infermiere, pranon se gjithmonë ka ndier një lloj shqetësimi për shkak të pasurisë. Ajo është rritur në një familje modeste bujqësore me dhjetë fëmijë, ku kushtet materiale ishin të kufizuara, por vlerat të qarta.
“Kur të dielave kalonin të pasurit me makina sportive, ne kthenim kokën”, kujton ajo.
Pikërisht për këtë arsye, pasurinë që bashkëshorti i saj e kishte sjellë në martesë, ajo kurrë nuk e ka ndier si diçka që u përkiste vërtet.
Bashkëshorti, arkitekt i gjeneratës së dytë, e ka trashëguar pasurinë pas vdekjes së të atit. Edhe pse është rritur në kushte të qëndrueshme, ai thekson se familja nuk ka jetuar në luks.
“Babai im gjithmonë vishte të njëjtat rroba, ndërsa për pushime shkonim si gjithë të tjerët”, thotë ai.
Pas trashëgimisë, familja ka vendosur me vetëdije të vazhdojë një mënyrë jetese modeste, duke lënë pjesën më të madhe të mjeteve të paprekura.
Fëmijët janë befasuar kur kanë mësuar për vlerën reale të pasurisë familjare.
“Ky shum? më tronditi”, thotë vajza 29-vjeçare.
Pavarësisht se posedojnë një shtëpi në një zonë atraktive në Zvicrën lindore dhe një shtëpi pushimi, ata me qëllim kanë shmangur stilin luksoz të jetesës.
Momenti kyç për vendimin ka ardhur rreth tre vite më parë, kur vajza, e cila merret me ekologji, është bërë e vetëdijshme për përmasat e krizës klimatike dhe humbjen e biodiversitetit.
– Kur e kuptova se çfarë po ndodh, më u bë e qartë se nuk mund të presim më. Duhet të veprojmë – ka deklaruar ajo.
Edhe vëllai i saj ndan të njëjtat qëndrime, megjithëse pranon se në fillim kishte dilema për sigurinë në të ardhmen.
Për të marrë një vendim të përbashkët, familja për më shumë se një vit ka punuar me një këshilltar profesional. Procesi ka qenë diskret dhe për qëllimin e tyre kanë ditur vetëm njerëzit më të afërt.
Hapat e parë konkretë tashmë janë përcaktuar. Deri në fund të vitit 2026 planifikojnë të dhurojnë rreth 1.5 milionë franga për fondacione që mbështesin projekte për mbrojtjen e klimës, ndërsa donacione të tjera janë në përgatitje.
Familja do të mbajë një pjesë të mjeteve dhe pronave për siguri bazë, por pjesën më të madhe të pasurisë planifikon ta dhurojë.
– E vetmja gjë nga e cila po heqim dorë është jeta luksoze, dhe sot e konsiderojmë atë si të papërshtatshme – përfundon vajza