Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar për Fox Business se Ngushtica e Hormuzit “po hapet” dhe se anijet po rikthehen në qarkullim, por nuk ka dhënë detaje shtesë për këtë pretendim.
Deklarata vjen në një kohë kur tensionet në rajon janë rritur, pasi ushtria iraniane ka kërcënuar se do të godasë transportin detar në Gjirin Persik, Detin e Kuq dhe Gjirin e Omanit nëse vazhdon bllokada detare e SHBA-së ndaj porteve iraniane, shkruan BBC.
Sipas raportimeve, bllokada amerikane ka hyrë në fuqi të hënën, ndërsa ushtria amerikane ka njoftuar se brenda 24 orëve të para asnjë anije nuk ka kaluar nëpër zonën e prekur.
Intervista e Trump-it është realizuar para këtyre kërcënimeve të fundit nga Irani. Në të, ai ka thënë gjithashtu se “nuk kemi përfunduar ende”, por ka shtuar se konflikti mund të jetë shumë afër përfundimit dhe se ekziston mundësia për një marrëveshje të madhe me Iranin.