Në Kosovë po përgatitet një pako e re mbështetëse financiare për qytetarët, ku një nga masat më të përfolura është ndarja e 100 eurove për fëmijët – por kjo ndihmë pritet të jepet vetëm një herë dhe jo në baza mujore, raporton Gazeta Minuti.
Sipas burimeve, kjo shumë synon të lehtësojë përkohësisht barrën financiare të familjeve, sidomos në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Megjithatë, theksohet qartë se bëhet fjalë për një mbështetje të vetme dhe jo për një pagesë të rregullt mujore.
Ndërkohë, në vend po zhvillohen diskutime intensive për përmbajtjen e plotë të pakos, e cila synon të zbusë ndikimin e vështirësive ekonomike tek qytetarët. Burime për Gazeta Minuti bëjnë të ditur se kjo pako do të përfshijë disa kategori përfituesish, nga fëmijët deri te pensionistët dhe punonjësit e sektorëve të ndryshëm.
Përveç ndihmës për fëmijët, në fokus mbetet edhe ndarja e një pensioni shtesë për pensionistët, të cilët konsiderohen ndër më të prekurit nga rritja e kostos së jetesës. Po ashtu, pritet që mbështetja të mos kufizohet vetëm në këtë kategori, por të zgjerohet edhe më tej.
Në kuadër të diskutimeve, përfshirja e punonjësve të sektorit privat shihet si një element i rëndësishëm i pakos. Sipas burimeve, po shqyrtohen forma të ndryshme të subvencionimit apo ndihmave financiare për këtë kategori, me qëllim ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe fuqisë blerëse.
Gjithashtu, masa të veçanta pritet të prekin edhe familjet me të ardhura të ulëta dhe grupet më në nevojë, duke e shndërruar këtë paketë në një ndërhyrje më të gjerë në sistemin e mbështetjes sociale në vend.