Moment vendimtar marrëveshja Kurti–Hamza mund ta bëjë Enver Hoxhajn President konsensual

Kosova ka hyrë në një fazë ku zgjidhja nuk varet më nga retorika politike, por nga një vendim i vetëm strategjik. Burime të gazetes Minuti bëjnë të ditur se çelësi i zhbllokimit institucional tashmë ndodhet në një linjë të drejtpërdrejtë politike: Bedri Hamza – Albin Kurti.

 

Sipas këtyre burimeve, nëse kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e propozon zyrtarisht emrin e Enver Hoxhajt si kandidat konsensual për President dhe ky propozim gjen mirëkuptim me kryeministrin Albin Kurti, rruga drejt zgjedhjes së presidentit praktikisht hapet.

Madje, sinjale pozitive thuhet se ekzistojnë edhe brenda radhëve të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ku kandidatura e Hoxhajt po shihet si opsion stabilizues në rrethanat aktuale politike, një figurë që nuk prodhon krizë të re politike dhe që mund të mbledhë vota përtej vijave partiake.

Pse ky moment është vendimtar?

Sepse për herë të parë pas shumë kohësh ekziston një formulë reale kompromisi:

– PDK ofron një figurë me profil institucional dhe ndërkombëtar;
– shumica qeverisëse shmang zgjedhje të reja;
– Kuvendi prodhon stabilitet në vend të bllokadës.

Në këtë ekuacion politik, përgjegjësia kryesore bie mbi dy liderë: Hamza dhe Kurti. Njëri duhet ta propozojë, tjetri duhet ta pranojë momentin politik.

Enver Hoxhaj si ura politike

Figura e Hoxhajt po shihet si pikë takimi mes racionalitetit politik dhe interesit shtetëror. Përvoja diplomatike, profili institucional dhe mungesa e polarizimit të fortë politik e bëjnë atë kandidat që mund të votohet pa kosto të madhe politike nga palët.

Ky nuk do të ishte kompromis i imponuar, por marrëveshje e përgjegjshme për të shmangur një krizë të panevojshme.

Nëse arrihet pajtimi Kurti–Hamza, vota për president nuk do të jetë më çështje partie, por test i përgjegjësisë shtetërore.

Deputetët do të përballen me një realitet të ri: ekziston një kandidat konsensual, ekziston një marrëveshje politike dhe ekziston mundësia reale për stabilitet institucional.

Në atë moment, refuzimi nuk do të shihej më si qëndrim politik por si refuzim i zgjidhjes.

Kosova sot nuk pret fitues politikë. Pret vendimmarrës.

Dhe vendimi mund të fillojë me një propozim: Bedri Hamza drejt Albin Kurtit.