Presidenca dënon ashpër thirrjet për “pushkatim” ndaj Presidentes Vjosa Osmani, kërkon reagim urgjent të drejtësisë

Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj gjuhës së përdorur në debatet politike ku është bërë thirrje për “pushkatim” të Vjosa Osmani, duke e cilësuar këtë si nxitje të rrezikshme për dhunë dhe jo si kritikë apo opinion politik.

 

Në reagimin zyrtar thuhet se përdorimi i termit “pushkatim” në debat publik nuk përbën mendim politik, por një gjuhë që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën në politikë.“Kur në debat politik përdoret fjala ‘pushkatim’, kjo nuk ka të bëjë me kritikë apo opinion, por me një gjuhë të rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike,” thuhet në reagimin e Presidencës.

Sipas Presidencës, Kosova nuk duhet të jetë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë ndaj figurave të zgjedhura nga qytetarët. Në reagim theksohet se një mentalitet i tillë ka dëmtuar për dekada debatin publik përmes etiketimeve, shpifjeve dhe linçimeve.