Gjykata Kushtetuese del me përgjigjie për kërkesën e VV-së

Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se e ka pranuar kërkesën e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit.

Në një përgjigje për Front Online, Gjykata Kushtetuese ka thënë se kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës dhe vendosjes së masës së përkohshme është parashtruar në mënyrë elektronike më 5 mars.

Sipas Gjykatës, vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të paraqitura në kërkesë.

”Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe vendosjen e masës së përkohshme, është parashtruar në mënyrë elektronike, më 5 mars 2026. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës“, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Pas dështimi të zgjedhjes së presidentit, Albulena Haxhiu njoftoi mbrëmjen e së enjtes se ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, teksa shtoi se njëkohësisht ka kërkuar nga gjykata vendosjen e masës së përkohshme.