Sipas burimeve të Gazeta Minuti, në prapaskenën politike të Kosovës po qarkullon një plan i koordinuar mes Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku, i cili aktivizohet në rast se Osmani nuk do të jetë kandidate për një mandat të ri presidencial.
Burime të afërta me zhvillimet politike bëjnë të ditur se mes palëve janë diskutuar dy skenarë konkretë, të cilët synojnë ripozicionimin politik të Osmanit dhe krijimin e një boshti të ri opozitar përballë qeverisë aktuale.
Opsioni i parë: Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK dhe kandidatura për kryeministre
Sipas këtij skenari, nëse Osmani nuk hyn në garën për presidente, ajo do t’i bashkohet sërish Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke u pozicionuar si figura kryesore e partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në këtë rast, Osmani do të jetë kandidate për kryeministre, ndërsa LDK do ta ndërtonte fushatën rreth profilit të saj publik dhe mbështetjes që ajo vazhdon ta gëzojë në sondazhe.
Burimet theksojnë se ky opsion shihet si më i drejtpërdrejtë dhe më i lehtë për t’u realizuar, pasi do të nënkuptonte një bashkim të plotë politik mes Osmanit dhe strukturave të LDK-së, me synim rikthimin e kësaj partie në pushtet.
Opsioni i dytë: Listë zgjedhore e veçantë dhe bashkëpunim me LDK-në
Skenari i dytë, që po diskutohet në qarqe të ngushta politike, parasheh që Vjosa Osmani të krijojë një listë të veçantë zgjedhore, e cila më pas do të hyjë në zgjedhje në bashkëpunim me LDK-në.
Në këtë formulë, Osmani nuk do të jetë formalisht pjesë e LDK-së si anëtare, por do të garojë me një listë të sajën, e cila do të bashkohet me listën e LDK-së në një koalicion parazgjedhor ose paszgjedhor.
Edhe në këtë opsion, burimet e Gazeta Minuti bëjnë të ditur se Osmani do të jetë kandidate për kryeministre, ndërsa marrëveshja politike do të synonte krijimin e një fronti më të gjerë opozitar, që do të përfshinte votues të pakënaqur nga spektri aktual politik.
Heshtje zyrtare, por lëvizje në prapaskenë
Zyrtarisht, as nga Presidenca dhe as nga LDK-ja nuk ka pasur deklarime publike për këto skenarë. Megjithatë, burimet pohojnë se kontaktet dhe komunikimet mes palëve kanë intensifikuar javët e fundit, veçanërisht në kontekstin e paqartësive rreth zgjedhjes së presidentit dhe mundësisë së shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja.
Një burim i Gazeta Minuti shprehet se “të dyja palët po e mbajnë të hapur derën e bashkëpunimit, pasi e shohin të nevojshme një rikonfigurim politik për zgjedhjet e ardhshme”.
Synimi: Alternativë për pushtetin
Sipas të njëjtave burime, plani Osmani–Abdixhiku synon që në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit dhe shkuarjes në zgjedhje të reja, të ofrohet një alternativë serioze për qeverisjen e vendit, me Vjosa Osmanin në krye të garës për kryeministre.
Në këtë mënyrë, Osmani do të largohej nga roli i presidentes si figurë neutrale dhe do të rikthehej fuqishëm në garën politike aktive, ndërsa LDK do të përfitonte nga popullariteti i saj për të rritur shanset elektorale.
Gazeta Minuti do të vazhdojë t’i përcjellë zhvillimet dhe të raportojë për çdo konfirmim apo lëvizje konkrete lidhur me këtë plan, i cili, sipas burimeve, mund të ndryshojë ndjeshëm hartën politike të Kosovës në muajt e ardhshëm.