Kurti drejt propozimit të Vjosa Osmanit për presidente

Sipas burimeve të afërta me Gazeta Minuti, kryeministri Albin Kurti është duke shqyrtuar seriozisht mundësinë që të propozojë dy emra për postin e presidentit të vendit: Vjosa Osmani dhe Shqiptar Demaci.

Burimet bëjnë të ditur se ky skenar po vjen pas dështimit të një marrëveshjeje politike me PDK-në, çka e ka lënë shumicën parlamentare pa votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit. Në këtë situatë, Kurti thuhet se po e orienton strategjinë e tij drejt LDK-së, duke kërkuar mbështetjen e saj për të shmangur shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Sipas informacioneve të Gazeta Minuti, të hënën pritet një takim mes Kurtit dhe kryetarit të LDK-sëLumir Abdixhiku, ku do të diskutohet pikërisht kjo çështje. Në tavolinë, siç mësohet, do të jenë dy opsione: mbështetja e Vjosa Osmanit për një mandat të ri, ose konsensusi rreth emrit të Shqiptar Demaçit si figurë kompromisi.

Burimet politike theksojnë se qëllimi kryesor i këtij manovrimi është evitimi i zgjedhjeve të reja, të cilat do të hapnin një cikël të ri pasigurie politike dhe institucionale. Po ashtu, sipas këtyre burimeve, Kurti synon të minimizojë edhe rrezikun politik që mund t’i vijë nga Osmani, e cila në matjet e fundit të opinionit publik shihet si figurë me mbështetje të lartë qytetare.

Në kampin e LDK-së, sipas Gazeta Minuti, ka diskutime të brendshme lidhur me këtë ofertë, ku një pjesë e strukturave po e shohin si mundësi për të rikthyer rolin vendimmarrës të partisë në proceset kyçe shtetërore, ndërsa pjesa tjetër mbetet skeptike për një marrëveshje me Kurtin pa garanci politike afatgjata.

Ndërkohë, dështimi i bisedimeve me PDK-në ka krijuar vakuum politik, duke e shtyrë qeverinë të kërkojë alternativa të reja për të siguruar shumicën e nevojshme në Kuvend. Sipas burimeve, emri i Vjosa Osmanit mbetet opsioni kryesor, ndërsa Shqiptar Demaçi po përmendet si plan rezervë në rast se LDK-ja refuzon ta votojë Osmanin.

Gazeta Minuti mëson se zhvillimet e ditëve në vijim do të jenë vendimtare për fatin e procesit zgjedhor të presidentit dhe për stabilitetin politik në vend. Takimi i së hënës mes Kurtit dhe Abdixhikut pritet të qartësojë nëse do të ketë një marrëveshje politike, apo nëse vendi do të shkojë drejt një krize të re institucionale dhe zgjedhjeve të parakohshme.