Alarm nga OBSH për virusin Nipah, çfarë është dhe sa të rrezikuar jemi! Shtatë pyetje dhe përgjigje që duhet të dimë

Kujtime nga pandemia e Covid-19 janë rikthyer pas njoftimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë se janë identifikuar dy raste të një virusi të rrallë në një provincë të Indisë lindore, duke bërë që disa vende aziatike të forcojnë masat e sigurisë në aeroporte.

 

Virusi Nipah ka një shkallë vdekshmërie nga 40% deri në 75% dhe i përket së njëjtës familje virusesh me fruthin. Nuk është aq ngjitës sa Covid-19, por është shumë më vdekjeprurës.

Virusi mori emrin nga fshati në Malajzi ku u shfaq rasti i parë në vitin 1998. Që atëherë, raste janë regjistruar në Bangladesh, Indi, Filipine dhe Singapor. Bëhet fjalë për një zoonozë, pra një sëmundje që transmetohet nga kafshët te njerëzit.

 

Si transmetohet?

Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), virusi transmetohet kur njerëzit bien në kontakt të drejtpërdrejtë me kafshë të infektuara, zakonisht lakuriqë nate ose derra.

Ekspertët shpjegojnë se infektimi mund të ndodhë edhe nga konsumimi i frutave ose lëngjeve të kontaminuara nga urina apo pështyma e lakuriqëve të natës frutorë. Transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh vetëm përmes kontaktit shumë të ngushtë me një person të infektuar.

Periudha e inkubacionit varion nga katër deri në 14 ditë.

Cilat janë simptomat?

 

Simptomat e para përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të vjella dhe dhimbje fyti. Rastet asimptomatike janë shumë të rralla.

Sipas specialistëve, me përparimin e sëmundjes, rreth dy të tretat e pacientëve bien në koma brenda pesë deri në shtatë ditësh.

Në disa raste, virusi prek edhe sistemin e frymëmarrjes, duke shkaktuar kollë të fortë dhe ndryshime të dukshme në radiografitë e kraharorit. Shumica e pacientëve shfaqin gjithashtu ndryshime në lëngun cerebrospinal, që rrethon trurin.

Dëmtimet e indeve të shkaktuara nga nekroza pasqyrohen në ekzaminimet imazherike, ndërsa aktiviteti elektrik i trurit tregon ashpërsinë e sëmundjes.

Sa i rrezikshëm është virusi Nipah?

Virusi Nipah konsiderohet një nga patogjenët më të rrezikshëm, i klasifikuar në nivelin 4 të rrezikut biologjik, njësoj si virusi Ebola. Ekspertët paralajmërojnë se teorikisht ai mund të përdoret edhe për sulme bioterroriste, një skenar tepër shqetësues.

Ai përbën një kërcënim serioz për shëndetin publik për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë, mundësisë së transmetimit nga njeriu te njeriu, aftësisë për të shkaktuar epidemi dhe mungesës së vaksinave apo trajtimeve të miratuara. Virusi mund të prekë zona të trurit që kontrollojnë funksione jetësore, si lëvizja e syve, rrahjet e zemrës dhe tensioni i gjakut, duke shkaktuar dëmtime të pakthyeshme.

Personat që kanë kaluar sëmundjen dhe janë shëruar raportojnë se për shumë vite ndjejnë lodhje të vazhdueshme dhe vërejnë ndryshime në funksionimin e sistemit nervor.

Si vendoset diagnoza?

Diagnoza bëhet përmes një analize gjaku, e cila zbulon proteina specifike të virusit.

Si trajtohet?

Aktualisht nuk ekziston vaksinë apo terapi e synuar për virusin Nipah. Trajtimi është mbështetës, ndërsa pacientët me simptoma të rënda neurologjike kanë nevojë për mbështetje mekanike të frymëmarrjes.

Substanca aktive ribavirinë, e përdorur në trajtimin e hepatitit kronik C, mund të ndihmojë potencialisht disa pacientë, por efektiviteti i saj nuk është i garantuar. Për këtë arsye, komuniteti mjekësor përqendrohet kryesisht në parandalim, duke reduktuar rrezikun e transmetimit nga kafshët dhe njerëzit dhe duke vendosur masa të rrepta sigurie sapo identifikohet një rast.

Ku janë regjistruar epidemi?

Çdo vit regjistrohen epidemi të virusit Nipah në disa vende të Azisë, kryesisht në Bangladesh, Indi, Malajzi, Filipine dhe Singapor. Sipas CNNi, Bangladeshi ka shënuar numrin më të madh të rasteve.

Kjo lidhet me faktin se lakuriqët e natës frutorë janë më të përhapur në këtë rajon. Muajt më “të rrezikshëm” janë nga dhjetori deri në maj, gjatë periudhës së çiftëzimit të tyre.

Virusi Nipah është identifikuar gjithashtu te lakuriqët e natës në Kinë, Kamboxhia, Tajlandë, Madagaskar dhe Ganë. Deri më sot, nuk është regjistruar asnjë rast në SHBA apo në Evropë.

A jemi të rrezikuar?

Virusi është jashtëzakonisht i rrallë. Lajmi i mirë është se deri në vitin 2024 janë regjistruar vetëm 754 raste në total.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se rreziku i përhapjes së këtij virusi vdekjeprurës jashtë Indisë konsiderohet shumë i ulët./CNN