Publicisti Gani Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka trajtuar shkaqet e rënies së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Ai ka krahasuar LDK-në e sotme me rolin historik që ajo ka pasur në lëvizjen politike shqiptare, duke vënë në pah gabimet strategjike, mungesën e etikës politike dhe refuzimin e bashkëpunimit institucional si faktorë kyç që, sipas tij, e kanë çuar partinë drejt një humbjeje të thellë dhe alarmante.
“Po, kësaj radhe, partia më humbëse doli sërish LDK! Vërtet përse? LDK, që ishte ajo partia e parë, që ishte partia – Lëvizje e popullit shqiptar në Jugosllavi, jo vetëm në Kosovë. Vërtet është për të qajtur se ku ka rënë. Po, kjo nuk është për herë të. Në këtë shkallë ishte edhe në zgjedhjet e vitit 2021, nëse nuk gaboj me 12%! Ajo u ngirt pakëz në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Këtu mori pakëz gjak, por sërish u mashtrua vetë LDK se do të rritet, për çka nuk hyri në koalicion me LVV. Populli flet vetëm në rastet e votimit. Prandaj, pse nuk hyri në koalicion me LVV, e ndëshkoi sërish me votë, kur LVV kishte vetëm 42% dhe nuk kishte mundësi pa koalicion të formonte qeverinë”, ka thënë Mehmeti për “Bota sot”.
Mehmeti ka rikujtuar koalicionet e LDK-së me PDK-në që kanë ndodhur në të kaluarën, duke i krahasuar me refuzimin e fundit që iu bë Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ne kuptojmë kryeneçësinë e LDK sot, për çka nuk kishte hyrë në koalicion, por nuk e kuptojmë se si kishte hyrë në koalicion me PDK, vite me radhë, në veçanti nga viti 2014, kur u bë patericë e Partisë Demokratike të Kosovës, me çka i ndihmoi të realizonte edhe disa veprime antikombëtare PDK-ja.
Përveç këtyre, duhet parë e analizuar edhe sjelljet tepër ofendues në Kuvend të disa deputetëve të LDK! LDK nuk guxon të bie poshtë me fjalor rrugaçërie. Nëse një parti tjetër shërbehet me njlë fjalor të tillë, nuk i shihet për të madhe, sepse ashtu ka vepruar prej fillimit, çka nuk pritet më mirë, por prej LDK, në krye të së cilës ka qenë Dr. Ibrahim Rugova, fjalori i tllë është rreptësisht i ndaluar dhe i papritur, se nuk e lejon etika, pa marrë parasysh se si sillen të tjerët dhe me çfarë fjalori shërbehen ndaj saj”, është shprehur Mehmeti për “Bota sot”.
Sipas analistit Mehmeti, tani LDK-në nuk e mban më emri i Dr. Ibrahim Rugovës, por sjellja e kryetarit aktual dhe anëtarëve të tjerë të saj.
“Në popull thuhet: Është vështirë të jesh bir i babait të mirë! – Kjo është më se e evërtetë, sepse duhet të ndalesh e të mos dalësh në kundërshtim me virtytet e babait, duhet ta ruash atë më shumë se veten. LDK-ja nuk trashëgoi këtë nga Dr. Ibraghim Rugopva, madje e keqpërdori, duke menduar se pse është partia e të madhit Ibrahim Rugova, do votohet. Jo, tani po bëhen 20 vite që fizikisht nuk jeton Rugova. Më nuk e mban emri i Dr. Ibrahim Rugovës, e mban vetëm sjellja e kryetarit të LDK, deputetëve dhe anëtarëve të saj në raport me sjellje ndaj të tjerëve”, ka nënvizuar ai.
Mehmeti e konsideron si të gabueshëm faktin që LDK refuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për koalicion pas 9 shkurtit 2025.
“Lidhja Demokratike e Kosovës të bie në këtë shkallë, është e papranueshme. Por, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë shumë gabime, shumë lëshime. Pa i përmendur të mëhershmet, ajo gaboi edhe kur nuk hyri në koalicion me LVV, sepse asnjë parti tjetër nuk kishte pasur ftesë nga LVV-ja për fomrimin e institucioneve të Kosovës pas zgjesdhjeve të 9 shikurtit 2025. Prandaj ka qenë dashur t’i përgjigjen pozitivisht.
Gaboi që nuk hyri në koalicion me LVV edhe kur u kandidua për kryeministër Glauk Konjufca. LDK jo vetëm që e quen veten parti institucionale, por ka qenë e tillë, nuk mohohet. Ajo ka hyrë në koalicion me të gjitha partitë tjera, ka qenë dashur që për hir të shtetit edhe këtë herë e të mos zvarriten formimet e institucioneve të Kosovës, të cilat po pritet të formohen edhe nga ndërkombëtarët.
Në politikë nuk është mirë të mbahet inati, në veçanti kur shkon në dëm të vendit dhe të shtetit.
Këtu ishte ndikimi edhe nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, pse nga 12% ishte ngritur në 20%, dhe ishte fituar një vetëkënaqësi se do të mbështetej e do të votohej më shumë nga zgjedhësit, por ata u demoralizuan me moshyrje në koalicion për formimin e institucioneve të Kosovës’, është shprehur ai.
Në fund Mehmeti ka thënë se, LDK duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe të hyjë në koalicion a në marrëveshje me LVV edhe tani për zgjedhjen e kryetarit-res së Kosovës, nëse ajo mendon që të ngritet.
“Një gjë po ua them: po nuk votuan kryetarin/ren e Kosovës, do të bijnë edhe më poshtë, kurdo që të mbahen zgjedhjet. Të mos mendojnë të shkaktojnë zgjedhje të tjera të parakohshme sepse këtu kuptohet pastaj se vetëm po i bëri 80 deputetë LVV-ja, proceset shtetërore mund të ecin përpara.
Vërtet atëhere do të bëhej një pushtet tërësisht njëpartiak , që edhe tani nuk është larg atij sistemi, por vetë e shkaktuan, pse nuk hynë në qeverisje kur LVV kishte vetëm 48 deputetë ose 42%, dhe do të kishin mundur ta rrëzonin qeverinë nëse nuk do të punonte si duhet”, ka përfunduar ai.