Lëvizja surprizë e Kurtit, ja çfarë pritet të ndodhë në Kosovë, pse Osmani do të ketë një detyrë delikate

Për herë të dytë, Lëvizja Vetëvendosje po tenton të krijojë një qeveri, kësaj radhe me Glauk Konjufcën si mandatar për kryeministër në Kosovë. Kjo rrokadë politike, që askush nuk e priste, dhe ka shkaktuar reagime të forta dhe të papritura. Kosova është tani duke shkelur në një terren të panjohur, me n shumë pikëpyetje dhe pasiguri mbi atë se si mund të formohet një qeveri që të ketë mbështetje të qëndrueshme në Kuvend. Glauk Konjufca, i propozuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur këtë një “kompromis të madh”, duke theksuar se partia e tij ka bërë hapin e parë për të kapërcyer pengesat politike, pasi propozon një kryeministër tjetër dhe jo Kurtin.

Megjithatë, shumica e deputetëve shqiptarë dhe disa deputetë të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të votojnë një mandatar tjetër nga LVV. Në këto kushte, analistët e shohin si të domosdoshme që Lëvizja Vetëvendosje të shtrijë dorën për bashkëpunim te ish-opozita. Një faktor i rëndësishëm në këtë situatë është roli i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një detyrë delikate dhe njëherazi shumë të rëndësishme për të përcaktuar mandatarin e ri për formimin e qeverisë.

Kundërshtimet

Duke marrë parasysh faktin se shumica shqiptare në Kuvendin e Kosovës, me disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, kanë shprehur qëndrimin e prerë se nuk kanë votë për një mandatar tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, vlerëson se propozimi i Glauk Konjufcës si mandatar i dytë është “humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të mungesës së besimit në institucione”. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, Hardinaj shprehet se ‘kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.’. Thirrje për zgjedhje ka bërë edhe LDK-ja, e cila doli kundër LVV.

Ndihmë nga ish-opozita

Në këto kushte, avokati Asdren Bytyqi deklaron se Vetëvendosja nuk po kërkon bashkëqeverisje, por synon që të votohet qeveria për të parandaluar krizën që do të shkaktonte mosmiratimi i buxhetit. “Ai rekomandon që Lëvizja Vetëvendosje të kërkojë bashkëpunim nga ish-opozita. “Në këtë situatë, zgjidhja më e duhur do të ishte që nga partitë e ish-opozitës të kërkohet bashkëpunim, qoftë për një periudhë të shkurtër apo deri në zgjedhjen e presidencës, pa i përfshirë në qeverisje dhe pa ua dhënë pjesën e tyre, që mendoj se është vetë qëllimi i garës politike. Për këtë arsye, mendoj se kjo nismë mund të refuzohet nga partitë politike”.

Roli i Osmanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka një rol aktiv në përcaktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re kosovare, por ky rol nuk nënkupton diskrecion të pakufizuar, sipas njohësve të çështjeve juridike, për shkak se çdo hap duhet të jetë i bazuar në gjasat reale që kandidati të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvendin e Kosovës. Nuk ekziston një procedurë formale e standardizuar për të vlerësuar nëse mandatari për formimin e qeverisë së re i ka numrat e nevojshëm, por shton se presidentja Osmani mund të arsyetojë bindjen e saj përmes disa treguesve tradicionalë. “Bindja mund të nënkuptojë njoftimin e liderëve të partive se kanë arritur koalicion, njoftimin e një kandidati se përpos votave të partisë së tij, ka edhe votat e deputetëve të tjerë, duke deponuar dëshmi për këtë, apo përmes dërgimit të një liste me 61 nënshkrime.

Afatet

“Nëse presidentja tejkalon të gjithë këta hapa dhe ia jep mandatin një kandidati, atëherë ajo bën shkelje të Kushtetutës së Kosovës, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe cenon paanësinë politike”, thotë Gzim Shala, hulumtues i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike (IKD) në Prishtinë. Në rast se presidentja Osmani e mandaton Konjufcën, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ai do të ketë afat 15 ditë që të paraqesë para organit ligjvënës përbërjen e re të ekzekutivit të ri kosovar, e cila duhet të marrë të paktën 61 vota në favor. Në rast të dështimit, vendi shkon në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme në dhjetor 2025.