Debati i parë ballafaques mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, në emisionin Pressing të T7, u tensionua pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili paralajmëroi se nuk do të përkrahë me buxhet kryetarët që “nuk dinë të punojnë” ose “vjedhin”.
Çeku, duke e relativizuar deklaratën e Kurtit, tha se ishte një “qëndrim politik” në një tubim elektoral, me të cilin “të gjithë parimisht pajtohen”. Ai pyeti Ramën pse ishte i pari që reagoi publikisht, duke nënkuptuar se kryetari aktual i Prishtinës është ndier i sulmuar.
“A u ndive i goditur sapo tha se nuk do t’i kalojë buxheti atyre që e keqpërdorin?”, e pyeti Çeku.
Në përgjigje, Rama akuzoi qeverinë për bllokim të qëllimshëm të kryeqytetit. Ai tha se Prishtinës i janë ndaluar hyrat vetanake dhe investimet zhvillimore, duke e interpretuar deklaratën e Kurtit si konfirmim të këtij presioni politik.
“Kryeministri vetë e tha sonte që janë bllokues. Ata nuk funksionojnë sipas Kushtetutës së Republikës, por sipas kushtetutës së LVV-së”, tha Rama, duke shtuar se qytetarët po ndëshkohen për bindjet e tyre politike./Periskopi/