Dhimbja e mesit, një problem që prek shumicën e të rriturve. Çfarë rekomandojnë ekspertët

Dhimbja e mesit është një simptomë që pothuajse çdo i rritur do ta përjetojë në një moment të jetës së tij, dhe për miliona njerëz në mbarë botën ajo mund të bëhet e vazhdueshme dhe kufizuese.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi 600 milionë të rritur vuajnë nga një formë dhimbjeje në shpinë, duke e bërë atë shkakun kryesor të paaftësisë në nivel global.

Megjithatë, të dhënat më të reja dhe disa ushtrime të thjeshta, të mbështetura shkencërisht, ofrojnë shpresë për menaxhimin dhe parandalimin e dhimbjes, duke përmirësuar njëkohësisht lëvizshmërinë dhe forcën e shtyllës kurrizore.

Një ortoped kirurg ndan tre kategori kryesore ushtrimesh që mund të ndihmojnë në reduktimin e dhimbjes së mesit: shtrirjet, forcimi i trungut dhe aktiviteti aerobik.

Nëse përjashtohet mundësia e hernies diskale, shkaku i dhimbjes është shpesh tensioni në indet e buta. Në rreth 8 nga 10 raste, muskujt e vegjël të shpinës janë të tendosur ose të irrituar. Në këto raste, pushimi i tepërt nuk ndihmon, lëvizjet e buta janë çelësi i rikuperimit.

Ushtrime të frymëzuara nga joga, si pozicioni “maca-lopa” (cat-cow) dhe pozicioni i fëmijës (child’s pose), mund të ulin ngurtësinë dhe të rrisin lëvizshmërinë e shtyllës kurrizore.

Ushtrimet për forcimin e muskujve të trungut ndihmojnë në stabilizimin e shtyllës kurrizore dhe në zvogëlimin e ngarkesës mbi mesit.

Ushtrime si “ura” (bridge) dhe “plank” forcojnë muskujt mbështetës dhe përmirësojnë qëndrimin. Këto ushtrime mund të kryhen gradualisht, me rritje të kohëzgjatjes dhe intensitetit në mënyrë të kontrolluar.

Aktivitetet aerobike përmirësojnë qarkullimin e gjakut, forcojnë muskujt mbështetës dhe parandalojnë ngurtësimin.

Veprimtari të lehta si ecja, noti ose ushtrimet në makineri eliptike mbajnë trupin aktiv pa e mbingarkuar. Sipas studimeve, aktiviteti aerobik i rregullt ul ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të dhimbjes kronike të mesit.

Nëse dhimbja vazhdon për një kohë të gjatë, shoqërohet me temperaturë, humbje peshe, fryrje të pazakontë ose përkeqësohet gjatë natës, duhet të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore.

Në raste të rralla, dhimbja e mesit mund të jetë shenja e sëmundjeve më serioze, si tumore ose lloje të rralla kanceri – ndaj vëmendja është thelbësore.