Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara, pavarësisht dekadave të përpjekjeve ndërkombëtare për dialog dhe normalizim. Në këtë kontekst, përvoja e vendeve neutrale si Zvicra, si dhe angazhimi i diasporës shqiptare në këtë shtet, ofrojnë perspektiva të reja për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të vjetra dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme.
Ish-ambasadori zviceran në Serbi, Jean-Daniel Ruch, një njohës i mirë i Ballkanit dhe diplomacisë ndërkombëtare, thotë se Zvicra ka tentuar të jetë e dobishme në hijen e procesit të udhëhequr nga BE.
Por, sipas tij, u takon liderëve të bëjnë koncesione të dhimbshme.
ImageIsh-ambasadori zviceran në Serbi, Jean-Daniel RucFoto galeri
“Zvicra ka tentuar të jetë e dobishme në hijen e procesit të udhëhequr nga BE. Por në fund të ditës, u takon liderëve në Prishtinë dhe Beograd të bëjnë koncesione të dhimbshme për një të mirë më të madhe. Ajo që mund të bëjë Zvicra është të ofrojë frymëzim nga modeli ynë i qeverisjes për të zgjidhur disa prej çështjeve të vështira, për shembull ato që lidhen me decentralizimin”, shprehet Ruch për “Bota sot”.
Ai kritikon procesin e dialogut Kosovë- Serbi, gjersa shton, se është për keqardhje që nuk ka arritur normalizimi.
“Për fat të keq, pavarësisht më shumë se 10 viteve diplomaci, nuk është arritur normalizim. Kjo është për të ardhur keq, pasi të dyja palët do të kishin interes të madh të gëzonin marrëdhënie të frytshme politike dhe ekonomike.”, deklaron diplomati.
I pyetur sesi mund të ndikojnë lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, sidomos pas luftës në Ukrainë, Ruch, thotë se ajo përpiqet të mbajë ekuilibër delikat.
Sipas ish- ambasadorit zviceran në Serbi, Vuçiq mund të dobësohet nëse vazhdon të përballet me protesta masive qytetare.
“Si gjithmonë, Serbia po përpiqet të mbajë një ekuilibër delikat midis Rusisë dhe Perëndimit. Pavarësisht retorikës pro-ruse të qeverisë, ajo ka eksportuar indirekt municione në Ukrainë. Që nga ardhja në pushtet e Vuçiqit, ai është perceptuar nga Perëndimi si garant i stabilitetit, kryesisht në Bosnjë dhe Hercegovinë. Mbështetja që ai merr nga Perëndimi mund të dobësohet nëse ai vazhdon të përballet me protesta masive qytetare. Për fat të keq, Uashingtoni dhe Brukseli janë duke u përqendruar sot në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë. Ballkani nuk është në krye të agjendës”, pohon ish- ambasadori.
Sipas statistikave më të fundit, rreth 114.000 qytetarë me pasaporta të Republikës së Kosovës jetojnë në Zvicër.
Në varësi të mënyrës së llogaritjes (nëse përfshihen ata me shtetësi të dyfishtë, natyralizuar, apo që kanë pasaporta të tjera, si ato serbe, por janë prej Kosovës), ky numër mund të jetë edhe më i lartë. Në disa burime flitet për shifra rreth 200.000 kur përfshihen të gjithë shqiptarët nga Kosova, duke llogaritur edhe ata që nuk kanë pasaportë të Kosovës.
Ruch është pyetur nga “Bota sot” edhe për lidhjet Kosovë- Zvicër, i cili e vlerëson lart rolin e diasporës në Zvicër në forcimin e lidhjeve ekonomike Kosovë- Zvicër.
“Shumë anëtarë të diasporës kanë qenë shumë të suksesshëm dhe nuk hezitojnë të investojnë në vendin e origjinës. Për shembull, kompania më e madhe ndërtimore në pjesën frankofone të Zvicrës është në pronësi të z. Orllatti, i cili është i përfshirë në projekte të mëdha të energjisë diellore. Nëse Zvicra është investitori i dytë më i madh në Kosovë pas Gjermanisë, kjo është kryesisht falë diasporës. Mund të bëhet më shumë, veçanërisht nëse remitancat do të shërbenin për qëllime investimi, në vend që kryesisht të drejtoheshin në pasuri të paluajtshme dhe konsum”, shprehet Ruch.
Ai ka dhënë edhe mesazh që institucionet e Kosovës të zhvillojnë strategji marketingu që të bëhet vend më i njohur dhe më tërheqës për investitorët.
Sipas tij, tani është koha e brezit të ri.
“Institucionet e Kosovës mund të zhvillojnë një strategji marketingu që synon ta bëjë vendin më të njohur në botë dhe më tërheqës për investitorët potencialë, përfshirë diasporën. Kosova ka fatin të ketë një popullsi mjaft të re me një diasporë dinamike që është ende e gatshme të investojë në vendin e saj. Kjo mund të mos zgjasë përgjithmonë, pasi brezi i ardhshëm do të integrohet plotësisht në Zvicër, Austri ose Gjermani. Tani është koha për të propozuar masa të guximshme për t’i tërhequr ata përsëri në Kosovë”, përfundon diplomati.