Miratohet vendimi, qeveria Kurti ndan nga 100 euro për studentët

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar sot se Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e 100 eurove për çdo student në Kosovë.

Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, pavarësisht se ajo është në detyrë.

“Rritjen ekonomike e ndajmë me gjithë qytetarët. Në kuadër të kësaj, sot miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro për studentët që i plotësojnë kriteret, ashtu që ata dhe familjet ta kenë më të lehtë përballimin e kostove që lidhen me fillimin e ri të vitit akademik,” tha Kurti.

Ai shtoi se kjo masë është pjesë e përmbushjes së njërit prej premtimeve kyçe të qeverisë – bursës së mobilitetit për studentët e nivelit “bachelor”, e cila do të jetë një mbështetje e përhershme dhe e vazhdueshme për ta.