Moscertifikimi i Listës Serbe | Presidentja “zhduket”, në heshtje po ia aprovon presionin e VV-së ndaj institucioneve

Moscertifikimi i Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të tetorit nga KQZ-ja ka nxitur reagime të shumta në vend dhe më gjerë.

Ky veprim i KQZ-së është dënuar nga aleatët e Kosovës, duke thënë se kjo është një përpjekje për të përjashtuar komunitetet nga zgjedhjet e 12 tetorit.

Derisa pushteti e ka vlerësuar si të drejt vendimin e KQZ-së, partitë opozitare kanë thënë se kjo është një lojë politike e VV-së.

Deri me tani për këtë çështje nuk ka folur vetëm presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndonëse kanë kaluar dy ditë që kur KQZ-ja e ka marrë këtë vendim, Osmani nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë çështje.

Ndryshe nga presidentja aleatët perëndimorë të Kosovës nuk kanë hedhur.

Përmes një komunikate për media, shtetet e QUINT dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë vendim.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë, shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar konkurrencën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale më 12 tetor”, është thënë reagimit.

Ata kanë vlerësuar se çdo përpjekje për të përjashtuar komunitetet nga zgjedhjet, minon parimet demokratike.

“Çdo akt i tillë për të përjashtuar komunitete të caktuara minon parimet demokratike dhe gërryen besimin në institucionet e Kosovës. Ne presim që qeveria në largim dhe të gjitha partitë politike të përmbahen nga hapat e mëtejshëm që mund të pengojnë regjistrimin e partive. Të gjitha procedurat duhet të kryhen në përputhje të rreptë me rregullat dhe mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë, ne i inkurajojmë palët e prekura të shfrytëzojnë plotësisht Panelin e Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore për të kërkuar dëmshpërblim”, thuhet në reagim.

Të enjten KQZ-j ka marrë vendim për që të mos e certifikojë Listën Serbe.

Me 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime, KQZ-ja nuk e ka certifikuar Listën Serbe.

Një ditë më pas, Lista Serbe ka njoftuar se vendimin e KQZ-së e ka dërguar në PZAP.

Pas një lajmi të tillë, deputetët e VV-së kanë venë në shënjestër gjyqtarët e PZAP-së, të cilët do të vendosin për ankesën Listës Serbe.

Disa prej deputetëve të partisë së Albin Kurtit kanë filluar presionin ndaj këtyre gjyqtarëve, duke i publikuar emrat e tyre. Ndonëse një veprim i tillë po shihet si i dënueshëm, ata nuk janë ndalur.

Në profilet e tyre në rrjetet sociale deputetët e partisë së Albin Kurtit kanë kërkuar nga gjyqtarët e këtij paneli që të mos e certifikojnë Listën Serbe.

Këto veprime të deputetëve të VV-së janë dënuar nga shoqëria civile dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, duke vlerësuar se kjo është një tendencë për të ndikuar në punën e drejtësisë.

Presidentja Vjosa Osmani nuk ka reaguar as ndaj kësaj fushate kundër gjyqtarëve të PZAP-së.