Rreziku i një skenari të dirigjuar: A po përgatitet terreni për rrëzimin e Kurtit?

Pavarësisht se e vuri në pikëpyetje legjitimitetin e njërit prej gjyqtarëve që do të vendosë për çështjen e mandatarit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por deklarata e tij, pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për të tërhequr kërkesën e saj nga Kushtetuesja, ka hedhur dritë mbi një përplasje institucionale që, për pjesën më të madhe të opinionit publik, ka mbetur e heshtur, por tashmë po bëhet e dukshme.

Për ata që i ndjekin zhvillimet politike me vëmendje, ky tension nuk është i ri. Ai ka zanafillë më herët – që para zgjedhjeve të fundit – kur dallimet mes Presidentes dhe Kryeministrit nisën të bëhen të ndjeshme, fillimisht nëpërmjet qëndrimeve të pakoordinuara, pastaj me heshtje të qëllimshme dhe më vonë me refuzime institucionale të buta. Sot, përplasja është artikuluar publikisht.

E gjithë kjo ndodh në një kontekst të brishtë politik: Qeveria Kurti po përballet me presion të trefishtë – nga opozita që kërkon zgjedhje të parakohshme, nga faktori ndërkombëtar që insiston në zbatimin e marrëveshjeve të lëna pezull, dhe nga partnerë të pakënaqur brenda skenës politike që ndihen të anashkaluar.

Në këtë kontekst, tensionimi institucional mund të mos jetë i rastësishëm, por i ndërtuar me qëllim. Strategjia është e njohur: delegjitimo Gjykatën Kushtetuese duke e paraqitur si të komprometuar; paraqit Qeverinë si bllokuese të rrjedhës kushtetuese; dhe poziciono Presidenten si figura e vetme e përgjegjshme e shtetit. Krijo kaos institucional dhe pastaj impono një “zgjidhje” – një qeveri të re e cila paraqitet si konsensuale, por që në thelb është produkt i presionit dhe marrëveshjeve të mbyllura jashtë procesit demokratik.

Nëse Gjykata nuk merr vendim dhe Kuvendi ngelet jofunksional, Presidenca mund të mbetet institucioni i vetëm aktiv. Për një vend që funksionon mbi ndarjen dhe balancën e pushteteve, kjo do të përbënte një zhvendosje serioze të gravitetit politik. Edhe nëse e përkohshme, një përqendrim i tillë institucional e ndryshon natyrën e sistemit – nga një demokraci funksionale drejt një “shteti të shpëtimit”, ku vendimet nuk burojnë më nga zgjedhësit, por nga ata që pretendojnë t’i shpëtojnë institucionet prej vetvetes.

Për Kosovën, që ka ndërtuar me mund sistemin e saj kushtetues mbi përvojën e shtet-ndërtimit pas konfliktit, një rrëshqitje e tillë, sado e butë, është rrezik. Nuk është e domosdoshme që autoritarizmi të hyjë me thirrje ushtarake. Nganjëherë, ai ecën në majë të gishtërinjve, me fraza të bukura për “stabilitetin”, “interesin shtetëror” dhe “zgjidhje të përgjegjshme”.

Nuk është hera e parë në histori që udhëheqësit përballen me tundimin për ta relativizuar demokracinë kur ajo bëhet pengesë për synimet e tyre. Prandaj është thelbësore të ruajmë jo vetëm institucionet, por logjikën e ndërtimit të tyre: që pushteti buron nga qytetari, jo nga koordinime të heshtura ndërmjet figurave të sistemit.

“Liria nuk qëndron në faktin që të bësh gjithçka që dëshiron, por në faktin që të mos jesh i detyruar të bësh atë që nuk duhet.” – Montesquieu

Në kohë si kjo, roli i medias është vendimtar: jo për të zgjedhur palë, por për të ndriçuar rrugët ku mund të rrëshqasë pushteti pa zhurmë, pa zgjedhje dhe pa llogaridhënie. Sepse demokracia nuk rrënohet gjithmonë me tronditje – ndonjëherë mjafton një heshtje.