Pasi propagandojë për situatën në Kosovë, Vuçiq flet për dënimin e Dodikut: Serbia nuk do ta njohë vendimin e gjykatës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu drejtua qytetarëve pas përfundimit të seancës së Këshillit për Sigurinë Kombëtare dhe deklaroi se kishin dy pika në rendin e ditës: situata në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.

Si zakonisht, ai vazhdoi me propagandë duke deklaruar se serbët po dëbohen nga vatrat e tyre në Kosovë.

Në Këshill u mor vendimi që Serbia të mos njohë vendimin ndaj presidentit të entitetit të Republikës Serbe, Milorad Dodikut, i cili vendim ia ndalon të merret me politikë për gjashtë vjet dhe duhet të vuajë një vjet burg, nova.rs.

“Këshilli për Sigurinë Kombëtare konsideron se aktet si vendimi i Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës për konfirmimin e vendimit ndaj Dodikut dëmtojnë rendin kushtetues të Bosnje-Hercegovinës dhe Republikës Serbe, të vendosur me Marrëveshjen e Paqes në Dejton, dhe rrezikojnë stabilitetin, besimin në institucionet, si dhe karakterin demokratik të marrëdhënieve politike të brendshme. Serbia, si nënshkruese e garancive të Marrëveshjes së Dejtonit, do të vazhdojë të insistojë në respektimin e plotë të saj dhe do të refuzojë çdo praktikë imponimi të vendimeve jashtë së drejtës ndërkombëtare“, tha presidenti serb.

Vuçiq deklaroi se me vendimin që i ndalon Dodikut të merret me politikë për gjashtë vjet është shfuqizuar vullneti i qytetarëve të Republikës Serbe, të cilët e kanë zgjedhur Dodikun si përfaqësues legjitim.

Theksojmë se lideri i serbëve në Bosnje deklaroi se nuk do të jap dorëheqje nga funksionet politike dhe se nuk do ta respektojë vendimin e gjykatës.

Ndryshe, Dodik është dënuar gjatë ditë së djeshme për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të komunitetit ndërkombëtar, Christian Schmidt. /Telegrafi/