Një hulumtim ka nxjerr në pah dyshimet se bura shqiptare ‘ALPEX’ është sabotuar qëllimisht nga të gjithë akterët e tregut të përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri. Lojtari qendror në këtë sabotazh, në vazhdimësi del Vuk Hamoviq me kompaninë e tij EFT.
“Bursa shqiptare ‘ALPEX’ zyrtarisht është funksionalizuar në fillim të vitit 2024, dhe ideja e themelimit të saj ka qenë krijimi i një blloku të përbashkët energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë, prej nga pritej që kjo të reflektonte në shkëmbim më të madh të energjisë mes të dyja vendeve dhe në ulje të çmimit të energjisë elektrike”, shkruan Buletini Ekonomik.
Hulumtimi thotë se ‘të gjithë akterët që supozohej që tregtimin e energjisë elektrike ta kalonin përmes ALPEX-it, për ta fuqizuar atë” vazhdon se këta akterë “zgjodhën që shitblerjen e energjisë elektrike për vitin 2024, ta bëjnë në “të zezën”, përmes kontratave bilaterale me tregtarë të energjisë, duke shmangur krejtësisht bursën shqiptare”
“Dyshimet e mbështetura në fakte çojnë te një skemë e përgatitur nga tregtarët ballkanik të energjisë, ku si qëllim kryesor kishte “bllokadën” e linjave interkonektive Shqipëri-Kosovë, përkatësisht bursën shqiptare (ALPEX). Kjo situatë prodhoi një “fyt të ngushtë” kah linjat përmes Malit të Zi, prej nga ‘Noa Energy Trade’ e solli rrymën në Kosovë me çmim deri në 800 euro për MËh vetëm për transmision apo bartje të energjisë”, shkruan Buletini.
Hulumtimi thotë se nga të dhënat, del se më 2024, përveç rrugëve tregtare përmes Malit të Zi, EFT-ja e Vuk Hamoviqit, zotëronte edhe linjat Shqipëri-Kosovë.
“Nga të dhënat e analizuara në Zyrën e Ankandeve në Podgoricë (SEE CAO), del se për vitin 2024, përveç rrugëve tregtare përmes Malit të Zi, EFT-ja e Vuk Hamovicit i kishte në zotërim edhe linjat interkonektive Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas”, shkruhet në hulumtim, transmeton Periskopi.
Të pyetur se pse kjo kompani ka marrë pjesë në ankande SEE CAO edhe për linjat Kosovë-Shqipëri, Romana Krstiq, Sekretare e Bordit të Grupit EFT (të Vuk Hamoviqit), pranon se “gjatë viteve 2024 dhe 2025, EFT nuk ka furnizuar me energji dhe as nuk ka blerë energji nga Kosova”, ndërsa në pyetjen se pse përkundër kësaj, EFT i bleu linjat Shqipëri-Kosovë, ajo ka dhënë përgjigje përgjithësuese.
“Të drejtat e kapacitetit ndërkufitar janë përdorur vetëm për kalimin e energjisë ‘tranzit’ drejt tregjeve të tjera”, thotë ajo, mirëpo Krstić nuk është përgjigjur në pyetjet e radhës, se sa është sasia e energjisë që ka kaluar tranzit përmes Kosovës dhe kush kanë qenë blerësit.
Nga KOSTT kanë konfirmuar se kompania EFT gjatë vitit 2024 ka shfrytëzuar rrjetin transmetues të Kosovës vetëm tranzit.
Këtë e ka bërë pasi i ka pasur në zotërim linjat interkonektive Shqipëri-Kosovë, të fituara në ankandet vjetore në Zyrën e Ankandeve në Podgoricë.
“Energjia (nga EFT) është importuar përmes kufijve: Shqipëri, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut, dhe është eksportuar po në këto zona, përmes të drejtave për kapacitete të fituara në ankandet e organizuara në SEE CAO”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të KOSTT.
Kur është pyetur për këtë bashkëpunim, sekretarja e EFT-së, Romana Krstić, ka thënë se me NOA-n kanë pasur një bashkëpunim në vitin 2017, ndërsa ka mohuar çfarëdo bashkëpunimi të mëvonshëm.
Kompania e Vuk Hamoviqit, në qendër të skemës
Kompania me origjinë serbe EFT e Vuk Hamoviqit, shfaqet gjithmonë në qendër të skemës së sabotazhit ndaj ALPEX-it shqiptar.
Themelimi i bursës shqiptare, në vete bart edhe dimensionin politik – i themeluar edhe si reagim ndaj investimeve të Kinës në Serbi e Republika Srpska të Bosnjës Hercegovinës – aty ku Vuk Hamoviqi ka edhe një termocentral të quajtur ‘Stanari’ dhe ku rreth 15% e konsumit në Bosnjë mbulohet nga ai termocentral.
Buletini Ekonomik, në hulumtimin në seri për importin e energjisë elektrike për vitin 2024, ka siguruar të dhëna që çojnë të një bashkëpunim mes kompanisë nga Tirana – Noa Energy Trade dhe kompanisë EFT, e cila sipas ankandeve në SEE CAO, për vitin 2024 i zotëroi të gjitha linjat e transmisionit që kishin destinacion Kosovën.
Përveç kësaj, hulumtimi zbuloi se energjia elektrike nga Noa Energy Trade dyshohet se është importuar nga Bosnje Hercegovina, përkatësisht pjesa e Republika Srpska, aty ku EFT-ja i kontrollon prodhuesit kryesor të energjisë elektrike. /Marrë me shkurtesa nga: Buletini Ekonomik