Haxhi Shala e Sabit Januzi pranojnë fajësinë për frikësimin e një dëshmitari

Ish-komandanti i UÇK-së, Haxhi Shala dhe Sabit Januzi e kanë pranuar fajësinë akuzën e frikësimit të një dëshmitari dhe pengimit në marrëveshje për pranimin e fajësisë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, shkruan Gazeta Demos.

Këtë e ka konfirmuar Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë përmes një komunikate për media.

Njoftimi i Plotë:

Haxhi Shala dhe Sabit Januzi pranojnë akuzën e frikësimit të një dëshmitari dhe pengimit në marrëveshje për pranimin e fajësisë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Të pandehurit janë akuzuar për frikësim gjatë procedurave penale dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në një reagim lidhur me marrëveshjet, Prokurorja e Specializuar Kimberli Uest (Kimberly West) tha: “Arritja e zyrës sonë për të përfunduar këto marrëveshje është dëshmi e forcës së hetimeve tona lidhur me çështjet e frikësimit dhe pengimit të drejtësisë.

“Ne e bëmë këtë pas një shqyrtimi të kujdesshëm që mori parasysh, midis të tjerave, rëndësinë e pranimit të përgjegjësisë në këtë kontekst, përfitimet e arritjes së përmbylljes herët të çështjes në mënyrë të drejtë, dhe mendimet e viktimave.”

Prokurorja e Specializuar u zotua gjithashtu të vazhdojë hetimet që lidhen me pengimin e drejtësisë për të garantuar integritetin e procedurave në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK).“ZPS-ja do të vazhdojë, në të njëjtën kohë, të ndjekë me forcë të gjithë ata që kërkojnë të ndërhyjnë në administrimin e drejtësisë dhe të mbrojë viktimat e dëshmitarët in Kosovë,” tha znj. Uest.

Gjyqi ndaj zotërinjve Shala dhe Januzi, së bashku me Ismet Bahtijarin, ishte planifikuar të hapej më 14 nëntor 2024.