Hisen Berisha reagon për fyerjen e emblemes së UÇK-së në ambientet qeveritare

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendosjes së emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në ambientet e tualetit të një institucioni shtetëror, duke e cilësuar këtë akt si një fyerje të rëndë ndaj historisë dhe vlerave kombëtare.

Sipas Berishës, ky veprim i turpshëm i ndodhur në një institucion të udhëhequr nga qeveria e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj identitetit kombëtar dhe sakrificave të UÇK-së.

“UÇK-ja ishte dhe mbetet simboli i qëndresës kombëtare, guximit dhe vendosmërisë për liri. Fyerja e emblemes së saj përbën përpjekje për njollosjen e historisë së lavdishme dhe zbehjen e rolit të saj në ndërtimin e shtetit të Kosovës,” deklaroi Berisha.

Deputeti i PDK-së shtoi se ky akt nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një qasjeje përçarëse dhe margjinalizuese ndaj atyre që kanë kontribuar në luftën për liri.

Ai ka bërë thirrje për veprime konkrete, duke kërkuar: 1. Hapjen e një hetimi të menjëhershëm për ndëshkimin e përgjegjësve. 2. Miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës Çlirimtare të Kosovës. 3. Rikthimin e dinjitetit në institucionet shtetërore dhe respektimin e vlerave kombëtare. Berisha u shpreh se sulmi ndaj emblemes së UÇK-së është një sulm ndaj themelit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. “Turpi le t’i mbulojë ata që nuk respektojnë të kaluarën dhe sakrificat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë,” tha ai.