Vizita e Kurtit në Sarajevë sot është problem për Dodikun – pesë vite më parë vetë e ftoi Hashim Thaçin

Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik ka reaguar ashpër ndaj vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Sarajevë me ftesë të organizatës joqeveritare “Krug 99”. Por, pesë vjet më parë, Dodik nuk e kishte problem si kryetar i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, i kishte dërguar një ftesë për vizitë presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.

Siç shkruan media boshnjake “Klix.ba“, nga e mërkura (04.12.2024) ka pasur reagime të bujshme nga Milorad Dodik dhe partnerët, ministrat dhe bashkëpunëtorët e tij për shkak të udhëtimit të Kurtit në Sarajevë, ku ai ka mbërritur me ftesë të Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”, ku duhet të marrë pjesë edhe në një seancë të zgjeruar nesër në bashki.

Mirëpo, duhet t’i kujtojmë Dodikut, Kosharcit dhe Neshiqit e të tjerëve se pesë vjet më parë, në qershor 2019, Milorad Dodik, si kryetar i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, i dërgoi një ftesë zyrtare presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të vinte në samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) që u mbajt atë vit në Bosnje dhe Hercegovinë, transmeton Telegrafi.

“Kam kënaqësinë që mund t’ju ftoj në një darkë për krerët e delegacioneve të organizuar nga Presidenca e Bosnjës e Hercegovinës më 8 korrik”, thuhej ndër të tjera në letrën – ftesë.

Në fund të letrës, Dodik theksoi rolin e rëndësishëm të Hashim Thaçit në nivel ndërkombëtar dhe theksoi se ardhja personale e Thaçit në Sarajevë në konferencë do të kontribuojë ndjeshëm në përcaktimin e sfidave me të cilat përballet kontinenti.

Pasi opinioni mësoi për ftesën, kabineti i Dodikut u përpoq të justifikohej duke thënë se “aty nuk ishte ftuar si ‘president’ i Kosovës, por si Prishtinë”.

“Dhe në atë format është diçka që u përcaktua dhe u pranua nga vendet që nuk e njohën Kosovën. Siç ishin Serbia, Greqia, Rumania, Moldavia dhe Bosnja e Hercegovina. Ai u ftua si Prishtinë, si Prishtina le të vinte në fusnotë, nëse kjo nuk është problem për të”, tha Dodik.

Tani Dodik thotë se ardhja e Kurtit “do t’i komplikojë ndjeshëm gjërat në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Dhe sërish vlen të kujtojmë se Albin Kurti nuk është ftuar nga një kanton, entitet apo institucion shtetëror, por nga Shoqata e Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”.