Haradinaj kritikon Kurtin: Më pro-rus e pro-serb sesa Vuçiqi dhe Vulini

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti, për politikat dhe veprimet e tij, të cilat, sipas tij, kanë izoluar Kosovën nga aleatët e saj perëndimorë dhe kanë çuar në sanksione nga Bashkimi Evropian.

Haradinaj e konsideroi të papranueshme që Serbia, një vend tradicionalisht i afërt me Rusinë dhe i udhëhequr nga liderë që ruajnë lidhje të ngushta me Moskën, si presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe zëvendëskryeministri, Aleksandar Vulin, nuk është prekur nga sanksionet e BE-së, ndërsa Kosova, që ka qenë gjithmonë pro-perëndimore, po përballet me pasoja.

Kështu, ai e ka cilësuar Kurtin si më “pro-serb e pro-rus” se Vuçiqi e Vulini.

“Merreni me mend pas sulmit terrorist në Banjskë, Serbia, që është aleate e Rusisë, që Vulini shkon te Putini , që vjen ministri rus në Beograd ditën kur vjen Von der Leyen, nuk ka sanksione. Imagjinoni sa pro-rus e pro-serb duhet me qene Albin Kurti, sa më shumë se Vulini e Vuçiq. Që më arrit ky më shti vendin e vet në sanksione të BE-së dhe NATO-s”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, Kurti po vepron në mënyrë më anti-perëndimore sesa Vuçiqi dhe Vulini.

“Është dy herë më i efektshëm është kryeministri i Kosova në politika anti-perëndimore, anti-amerikane sesa Vulini e Vuçiq. Se Vulini e Vuçiq me krejt lidhjet e tyre, me Rusi e Kinë, e kanë shpëtuar vendin tyre pa sanksione. Kurti, duke qenë vendi më pro-perëndimor, ka arrit më shti Kosovën nën sanksione si Rusia”, ka shtuar Kurti.