Ky ishte momenti i duhur, që Qeveria Kurti t’a hiqte masën e ndalimit për mallrat e importuara nga Serbia

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

CEFTA, shkaku i përfaqësimit të padrejtë të Kosovës jo me emrin e saj, por me emër UNMIK, dhe masës kufizuese të mallrave serbe, ishte bllokuar për 4 vite, andaj për habi, Takimi i Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s i planifikuar për 9 tetor,(për zhbllokimin e saj), pritet të mbahet pikërisht në Beograd, strumbullarin e të gjitha problemeve, ku ministrat duhet të bien dakord ti miratojnë vendimet e negociuara në nivel teknik, që nuk kanë arritur të kalonin në këshillin ministror për të hyrë në fuqi!

-Siç dihet pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës, në brendësi të territorit të vendit tonë, nga forcat speciale të Serbisë, në qershor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ishte e detyruar, ta urdhëroi Doganën e Kosovës që, nga ajo ditë, të ndalonte hyrjen e të gjitha mallrave serbe në Kosovë, masë e cila një javë më vonë, u ndryshua, duke lejuar nga ajo kohë, që në Kosovë të hyjnë vetëm mallrat të cilat nuk kishin origjinë nga Serbia.

Kështu që vendimi për heqjen apo ndryshimin e masës së sigurisë, ndaj produkteve serbe, erdhi pas kalimit të më tepër se një vitit dhe vetëm pas një trysnie të fortë e të gjatë nga diplomatët perëndimorë, që këtë megjithëse ishte masë sigurie, cilësonin si masë kundër parimeve të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore- CEFTA.

Andaj vendimi i Qeverisë u ndryshua nga masa e sigurisë me kufizim të plotë, në masë me kontroll të shtuar, për të gjetur zbatim, fillimisht, vetëm në pikën kufitare të Merdares, deri në sigurimin e skanerëve të avancuar nga BE e SHBA dhe vendosjen e tyre në të gjitha pikat kufitare me Serbinë.

Në fakt, sa i takon CEFTA-s, Kosova ishte bërë anëtare e saj, që nga viti 2007, por fatkeqësisht, deri më tani, vendi ynë mund të përfaqësohej në tubime, vetëm nën emrin e misionit të UNMIK-ut.

Kurse tani, me kusht që të hiqet masa e ndalimit ndaj mallrave serbe, Gjermania ka ofruar, që në këmbim të kësaj ndalese, Kosova të përfaqësohet me emrin e vet konstituiv-Republika e Kosovës, e drejtë e cila u përforcua edhe njëherë më tepër me insistimin e kryeministrit Kurti, që qysh nga takimi i radhës, me 9 tetor në Beograd, Kosova të paraqitet me emrin e vet shtetëror!

Duke pasur parasysh veçanërisht premtimit e “forta” të diplomatëve perëndimor se Kosova nga tani e tutje, do të mund të merr pjesë dhe paraqitet në tubimet e CEFTA-s me emrin konstitucional të Republikës së Kosovës, pikërisht në kohën kur pritet të ndodhin edhe dy zhvillime shumë të rëndësishme”, si mbledhja e CEFTA-s të mërkurën me 9 tetor, si dhe samiti i Procesit të Berlinit më 14 tetor, duket se ky ishte momenti i duhur, kur Qeveria Kurti edhe duhej t’a hiqte masën e ndalimit për mallrat e importuara nga Serbia.

Dhe sado që nisur nga ngjarjet tragjike të vitit të kaluar, jo vetëm kidnapimi i policëve, por veçanërisht pas sulmit terrorist serb në Banjë të Zveçanit, ku u kapën disa miliona euro armatime të terroristëve serb, kjo masë, në fakt do të duhej të vazhdonte edhe më tutje, shkaqet e lartcekura bënë që kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të konfirmoi ndryshimin e pjesshëm të masës së sigurisë për importin e produkteve serbe, nga kufizimi i plotë, në masë me kontroll të shtuar, fillimisht vetëm në njërën nga pikat kufitare me Serbinë, pra vendim që u mor edhe për shkak të “dy zhvillime të lartcekura, shumë të rëndësishme” për vendin tonë, si mbledhja e CEFTA-s të mërkurën dhe samiti i Procesit të Berlinit më 14 tetor.

Kurse pjesë e Procesit të Berlinit, Kosova ishte që nga themelimi i tij në vitin 2014 dhe në disa nga aktet e nënshkruara në kuadër të kësaj nisme rajonale, përveç bashkëpunimit në fushën e transportit, energjisë, ekologjinë, dixhitalizimin, roamingun e tj, hynin edhe marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare, kualifikimeve profesionale etj, të cilat janë me shumë rëndësi për shqiptarët, në Kosovë, Kosovën Lindore dhe rajon.

Bazuar në aktin e kidnapimit të policëve tanë dhe aktet tjera terroriste serbe në Kosovë, masa kufizuese ndaj mallrave serbe, ka qenë masë e sigurisë dhe jo masë tregtare, ndaj pas insistimit për ndryshimin e kësaj mase, kryeministri Kurti kërkoi nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që t’i ndihmojnë Kosovës në sigurimin e skanerëve në kufi, për tu garantuar që mallrat të cilat hyjnë nga Serbia, nuk do të përbëjnë më, rrezik për sigurinë e Kosovës.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës, erdhi veçanërisht pas presionit të madh nga Gjermania, e cila përmes të Dërguarit të vet të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, insistonte se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, apo Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore mu në kohën kur, siç shprehet kryeministri i Kosovës, me rastin e 10 vjetorit pritet të kalohet nga CEFTA në CRM apo në Tregun e Përbashkët Rajonal” dhe për shkak të kësaj ndalese, Kosova mund ta rrezikonte pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit.

Nismë jetike e cila synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, përveçse mirëpriti vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimit ndaj mallrave të Serbisë, ai e vlerësoi këtë edhe si një hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s, i cili i premtoi Qeverisë se do të monitorojmë proceset në pikën kufitare” dhe do ta mbështesim Kosovën, për plotësimin e kërkesave të saj të sigurisë, vendim të cilin e përshëndeti edhe, Drejtoresha e Mbretërisë së Bashkuar për Evropën Victoria Billing.

Victoria Billing zhvilloi edhe një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e cila e vlerësoi vendimin e Qeverisë për lejimin e importit të mallrave serbe, si lëvizje që do të përmirësojë progresin brenda kornizës së Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), ndërsa ambasadori amerikan Hovenier përveçse e përshëndeti vendimin e Qeverisë si hap të rëndësishëm për tregtinë e lirë në rajon, e vlerësoi atë edhe si akt në drejtimin e duhur për rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.