Tahiri: Serbia po e mbron Radoiçiqin, ai për herë të fundit është parë në qershor

Gazetari Besnik Tahiri, tha se shteti i Serbisë po e merr në mbrojtje përgjegjësin kryesor për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, Millan Radoiçiq.

Tahiri tha se Radoiçiq që nga shtatori i vitit të kaluar jeton në Beograd, ndërsa për herë të fundit është parë në qershor në këtij viti.

“Millan Radoiçiq është parë për herë të fundit, ndonëse nuk është fotografu, në qershor në Beograd, në afërsi të presidencës serbe. Këtë e kanë konfirmuar vetë burimet serbe të inteligjencës dhe politike po ashtu, sepse opozita në Serbi është shumë e ashpër ndaj Vuçiqit për shkak të mbrojtjes që i bën grupit të Radoiçiqit dhe për shkak të strehës që i ka ofruar Serbia Radoiçiqit, për shkak se ai zyrtarisht ka ndërtuar një shtëpi në lagjen elitare “Dedinje” dhe pretendohet se jeton aty qysh prej 27 shtatorit të vitit të kaluar, sepse ai u morr në pyetje në tetor, pastaj edhe në mars është fotografu prania e tij në Beograd, është e konfirmuar sepse shihet në fotografi me tash ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq, dhe Serbia luan këtë rol krejt kohën”, tha Tahiri në Rubikon të Klan Kosovës.

Tahiri tha që nga shtatori i vitit të kaluar, Radoiçiq është intervistuar vetëm njëherë nga autoritetet serbe lidhur me sulmin në Banjskë, ndonëse ai publikisht e kishte pranuar rolin e tij në organizimin e këtij sulmi.

“E ka marrë vetëm njëherë në pyetje bile e ka marrë në një datë shumë të veçantë, në ditën kur presidentja e Kosovës jepte intervistë për CNN, ata e marrin atë në pyetje dhe nuk e mbajnë as 24 orë, por vetëm me ia heqë argumentin e fortë që presidentja do ta kishte në atë intervistë për CNN dhe të thonë ja që Serbia personin kryesor përgjegjës për sulmin e Banjskës, sepse ai vet e ka pranuar përmes avokatit të tij Goran Petronijeviç që ka qenë organizator i sulmit në Banjskë”, tha Tahiri.