“Kombi shqiptar s’do rrijë i qetë përballë shtypjes së egër”, çfarë i shkroi Abdyl Frashëri sulltanit më 1879

SEJDO HARKA/ “Si mund t’i thuash bujkut, çfarë bëre, kur mbjell farën në arë? Sot fara nuk duket, por do të mbijë. Në mos ne, do ta korrin brezat e ardhshëm. Shqipëria do të bëhet!”

Abdyl Frashëri, ky burrë i madh i kombit shqiptar, hyri si një gur i rëndë në themelet e historisë së Shqipërisë, në pranverën e vitit 1877, në një kohë, kur vorbulla e krizës së vendeve Lindore ishte turrur të kafshonte pa mëshirë trojet e vendit tonë. Në këto kushte ai, bashkë me atdhetarët e tjerë u përlesh me titanët e Portës së Lartë, të Fuqive të Mëdha europiane dhe synimet grabitqare të fqinjëve ballkanikë, deri në pranverën e vitit 1881. Kjo kohë që koinçidon me shtypjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në çastet kur Abdyl Frashëri u detyrua të tërhiqej jashtë vullnetit të tij për të nisur kalvarin e vështirë të burgimit, internimit dhe izolimit të plotë, deri sa mbylli sytë në vitin 1892. Ishin, vetëm, 4 vite, por që mbanin peshën dhe vlagun e historisë së 4 dekadave të Lëvizjës Kombëtare Shqiptare.

Ato ishin vitet e vrullshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila ngriti peshë masat popullore, të bashkuar në një aksion të madh revolucionar për liri. Aq ngushtë është i lidhur ky emër me ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sa që, kur kujtojmë veprimtarinë e saj të mençur dhe luftarake, na shfaqet para sysh portreti i gjallë i Abdyl Frashërit. Ai ishte dhe mbeti patrioti demokrat i orëve të para, ideolog dhe diplomat, shkrimtar dhe orator i rrallë Rilindjes dhe i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Abdyl Frashëri ishte i pari ideolog, që shkriu në një platformë të vetme kërkesat themelore shoqërore, politike e kulturore, që e shqetësonin Shqipërinë e robëruar të kohës. Ky ishte programi themelor i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në përpjekjet e saj për formimin e shtetit kombëtar shqiptar.

DREJTIMET KRYESORE TË VEPRIMTARISË ATDHETARE TË ABDYL FRASHËRIT

Së pari, Abdyl Frashëri, u shqua si organizator për ideimin, themelimin dhe drejtimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishte ai, që qëndroi në vijën e parë të atdhetarëve shqiptarë për shtrirjen e kapilarëve të saj në të katra anët e vendit dhe për t’u mbrojtur nga presionet e sulmet e osmanëve dhe të reaksionit të brendshëm. Së dyti, duke qenë përfaqësues kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, udhëhoqi me mençuri politikën e jashtme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mbrojti interesat e kombit, përballë Fuqive të Mëdha; parashtroi me kurajë para Portës së Lartë kërkesën për autonominë e Shqipërisë dhe zgjidhjen optimale, në interes të Atdheut dhe të çështjes së madhe shqiptare.

Së treti, A. Frashëri, u shqua si aktivist i një veprimtarie të jashtëzakonshme për realizimin e një platforme ideologjike të Rilindjes Kombëtare dhe të programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Së katërti, ai u dallua edhe me shkrimtarinë e tij të mprehtë politike dhe diplomatike, të cilën e shkroi në disa gjuhë të botës, në të cilin vend të rëndësishëm zënë, parashtresat, artikujt publicistikë, aktet diplomatike, memorialet dhe sprovat historike, të cilat karakterizohen nga thellësia e mendimit, forca e argumentit, gjuha e gjallë që të rrëmbente me afshin e nxehtë frymëzues e mobilizues. Abdyl Frashëri ishte tribun i mendimit dhe luftëtar i aksionit revolucionar, me të cilën fitoi besimin e shqiptarëve. Ai s’e humbi kurrë busullën orientuese, as përballë bërryleve të kancelarive të Perandorisë Osmane e diplomacisë europiane të kohës dhe as përballë lakmisë grabitqare të fqinjëve ballkanikë. Diplomati i regjur Abdyl Frashëri kishte bindjen se, ‘fara’, që kishte mbjellë në trojet shqiptare, donte kohë të mbinte dhe stinën e vetë që të korrej. Për shkak të angazhimit të tij, për çështjen kombëtare ai, nga populli i tij u quajt ‘Prijës i Shqipërisë’. Por, krahas simpatisë së popullit të tij, ai u vu në shënjestër të armiqve të shumtë të Shqipërisë. Armiqtë dhe mosbesuesit ndaj saj e quajtën lëvizjen e popullit tonë për bashkimin dhe çlirimin kombit, utopi. Në kohën, kur Lidhja Shqiptare po forcohej e hidhte shtat kundër Traktatit të Fshehtë të Berlinit, shpërthyen shpifjet denigruese ndaj saj Zëdhënësit e Fuqive të Mëdha Europiane dhe të monarkive ballkanike, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e quajtën ‘gisht’ të të huajve. Ndërsa A. Frashërin e quajtën ‘vegël’ të Portës së Lartë. Por, ai nuk u spraps kurrë nga lufta për zgjidhjen e çështjes së madhe të kombit të tij, kurrë. Këtë e pohonte, ato ditë, edhe Dervish Hima, kur shkruante: ‘Abdyl Frashëri vërtitej në qiellin e Shqipërisë për t’u kujtuar shqiptarëve detyrën, që kishin ndaj atdheut’’.(7) Ai hyri në historinë ndërkombëtare si një udhëheqës i pavarur, si nga Lindja, ashtu dhe nga Perëndimi. Vlerësime të larta, A. Frashëri, mori edhe nga të huajt, të cilët, herë e quajtën promotor të bashkimit kombëtar dhe herë shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Atë, nuk harroi ta vlerësonte as Enver Hoxha, i cili, mes të tjerash theksoi se, A. Frashëri, me luftën e tij për çështjen kombëtare, bëri epokë, me të cilën synonte të nxirrte vendin e tij nga errësira mesjetare, për ta futur në udhën e gjatë për liri, pavarësi, kulturë dhe arsim. Abdyl Frashëri mban emrin e madh të luftëtarit të madh, patriotit të shquar, që gjithçka e bëri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Deri nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, figura e tij nuk njihej shumë, mbasi mungonin dokumentet arkivare, ndërsa sot ekziston mundësia edhe për shfletimin e arkivave të huaja shumëgjuhëshe. Mjegullnaja, që dikur mbulonte këtë figurë, ja la vendin një pasurie të madhe arkivore dhe disa libra të shkruara nga historiani i madh Kristo Frashëri e autorë të tjerë para dhe pas tij, të cilat na kanë ndriçuar për të shkruar këto shënime modeste, për këtë figurë madhështore të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga shfletimi i kësaj pasurie të madhe arkivore dhe historiko-kulturore bindesh se, në sjelljen dhe veprimtarinë shumëplanëshe të kësaj figure të rrallë të kombit tonë, nuk gjen asnjë njollë të errët. Por, para se të ndalemi tek veprimtaria e tij e papërsëritshme në historinë e vendit tonë, do të ndalemi me pak fjalë për t’i rikujtuar lexuesit: