Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj një ditë më parë kritikoi Qeverinë Kurti se ka thyer premtimin se do të ketë ushtri të detyrueshme, gjersa tha se ushtari i Kosovës vazhdon të ketë pagë 400 euro e pajisje joadekuate.
Haradinaj në një postim në Facebook tutje shkruan se rritjen e premtuar të pagës, plotë ushtarë të FSK e arrijnë përmes përmbaruesve.
“Gjithmonë është lajm i mirë kur Kryeministri i vendit takon krerët e sigurisë, por kur pas katër vitesh Qeverisje premtimet parazgjedhore mbesim mashtrime paszgjedhore është e natyrshme që edhe ky takim është veç fillimi i mashtrimit të radhës. Ushtari i Kosovës vazhdon të ketë pagë € 400, të ketë pajisje personale tepër joadekuate kurse rritjen e premtuar të pagës plotë ushtarë të FSK e arrijnë përmes përmbaruesve.
Premtimi i Kurtit se Kosova do të ketë ushtri të detyrueshme doli të jetë vetëm mashtrim ordiner.
‘Fondi i Sigurisë’ më as që përmendet nga ai.
Ushtria duhet të trajtohet nga shteti me dinjitet e respekt e jo me mashtrim.
Ushtria nuk është dhe s’do të duhej kurrë të ishte kazan i votave të Albin Kurtit”, kishte shkruar Haradinaj.
E pas kësaj deklarate të kreut të AAK-së kishte reaguar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra.
Sipas Dobrës në FSK nuk ka më pagë 400 euro.
“Dezinformimi është i dëmshëm për shëndetin. Në FSK nuk ka më pagë 400 euro. LIGJI NR. 08/L-196 PËR PAGAT NË SEKTORIN PUBLIK dhe Ligji i Buxhetit për vitin 2024
Ushtari: Koeficienti: 5.6. Vlera monetare e koeficientit: 110 euro. Paga bazë e ushtarit: 5.6 * 110 = 616 euro
P.S. pagës bazë i shtohet mandej edhe përvoja e punës etj”, shkruan Dobra.
Ndaj deklaratës së Haradinajt ka reaguar edhe zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi.
“Paga e ushtarit (OR-2) është 616 euro, informacion i vyer për ish-kryeministrin Haradinaj që si duket nuk ka njohuri për rritjen e pagave që ka ndodhur gjatë qeverisjes së kryeministrit Kurti.
Pra nga 443 euro sa ishte më parë, me koeficientin e ri të pagave në vlerë prej 110 euro, ushtarit i është rritur paga për 39%.
Të mos flasim pastaj për investimet në blerjen e sistemeve të armatimit që në periudhën trevjeçare 2021-2023 kanë shënuar rritje enorme, nga rreth 4 milionë në 239 milionë euro”, shkruan ajo në Facebook. /Telegrafi/