Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-rektori i UP-së, profesori Enver Hasani, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka thënë se kryeministri Albin Kurti po insiston në nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit, meqë e ka kuptuar që është mashtruar nga këshilltarët vendorë e ndërkombëtarë dhe se marrëveshjet e arritura e kanë dëmtuar Kosovën në mënyrë të pariparueshme. Hasani thotë se sipas marrëveshjes që ka nënshkruar Kurti, Kisha Ortodokse nuk i nënshtrohet asnjë juridiksioni të Kosovës dhe se Kurti ka pranuar krijimin e një statusi të autonomisë politiko-territoriale për serbët lokalë përmes vetëmenaxhimit dhe heqjes dorë nga njohja reciproke. Deklaratën e Kurtit për çuarjen e Draftit të BE-së në Komision të Venedikut e sheh si fushatë për votë duke sqaruar se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka juridiksion dhe kompetencë të plotë për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e Draft-Statutit të BE. Profesori kosovar thotë se BE-ja është e qartë që zbatimi i Ohrit është çështje serioze e sundimit të ligjit dhe standard që Kosova duhet ta plotësojë, e jo Brukseli zyrtar. Në këtë intervistë Hasani ka folur për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, trajtimi që po iu bëhet krerëve të shtetit nga aleatët dhe për atë se çka e pret vendin në rast të një rikthimi të mundshëm të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Hasani ka folur edhe për Statutin e UP dhe për kombin kosovar.
Gazeta Express: Pse mendoni që kryeministri Albin Kurti po insiston në aktin e nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, ndonëse BE e ka ritheksuar se ajo është ligjërisht obligative për të dy palët?
Këto dy arsye thelbësore shpjegojnë se përse zoti Kurti në vazhdimësi tërheq paralele ne mes të asociacionit sipas marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015 dhe atyre që ai ka prodhuar në Bruksel dhe Ohër vitin që shkoj. Siç e kam sqaruar gjerësisht në librin tim të fundit mbi kushtetutën materiale të Kosovës, arkitekt ideor dhe praktik i së cilës është zoti Kurti, bëhet fjalë për prerje cezariane në mes të detyrimeve të Kosovës më 2013 dhe 2015 dhe atyre që u krijuan më 2023. Në rastin e parë kemi pasur të bëjmë me asociacion, jo me bashkësi të komunave serbe, siç është rasti me marrëveshjet e vitit 2023. Përveç kësaj, statusi i Kishës Ortodokse Serbe është njëjtësuar me statusin juridik që ka në Serbi, që do të thotë se nuk i nënshtrohet asnjë juridiksioni të Kosovës më ndryshe se në territorin e Serbisë. Përtej kësaj, marrëveshjet e vitit 2023 kanë njëjtësuar statusin e Kishës Ortodokse Serbe më kulturën materiale dhe historike të popullit serb në tërësi, të cilat së bashku gëzojnë status juridik ekstra territorial. Së fundi, me marrëveshjet e vitit 2023 Kosova heq dorë nga njohja reciproke dhe krijon statusin e autonomisë politiko-territoriale për serbët lokal: ajo që quhet vetmenaxhim, kur të zbatohet në praktikë për komunat serbe – që kanë kufij saktësisht të definuar dhe që nuk mund të ndryshohen asnjëherë nga pushteti qendror – pa asnjë dyshim që krijojnë një entitet të ri brenda rendit juridik-kushtetues kosovar. Asnjë nga këto gjëra nuk kanë qenë të parapara me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, gjë të cilën e ka saktësuar dhe qartësuar Gjykata Kushtetuese më aktgjykimin e saj të nëntorit 2015.
Hasani: Sikundër dihet, Bislimi dhe Kurti, kur doli drafti i BE-së, patën thënë se kanë dërguar komentet e tyre lidhur me te. Ky fakt bën që ai akt juridik të mos mund të cilësohet asnjëherë si “non-paper” , pa autor, sepse në prodhimin e përmbajtjes së tij këta vetë kanë kontribuar.
Gazeta Express: Si e komenton deklarimin e kryeministrit Kurti, që Lajçak duhet ta çojë Draftin e Asociacionit në Komision të Venecias dhe qe vetë si kryeministër nuk do të ndërmerr veprime qe ta çojë në Kushtetuese?
Hasani: Sigurisht që bëhet për të luajtur të fortin në sytë e votuesit të VV. Si i tillë, megjithatë, ai deklarim nuk ka asnjë rëndësi dhe vetëm sa vështirëson pozitën negociuese të Kosovës. Për të luajtur efektivisht të fortin dhe për të qenë vërtetë të fortë si palë negociuese kundrejt çdokujt, Kosova duhet të dijë të mobilizoj resurset tjera dhe t’i përkthej më pas ato në një epërsi gjeostrategjike. Për të ndodhur kjo, duhet ndjekur një tjetër rrugë, që identifikon në rend të parë qëllimet e politikës së jashtme në kuadër të orientimit të përgjithshëm euro-atlantik të vendit. Qëllimet e tilla politike nuk mund të përcaktohen duke besuar, krejt në mënyrë të gabuar, se orientimi gjeopolitik i Serbisë nuk është euro-atlantik, sepse ai është! Këtu qëndron krejt thelbi i dështimit të vendit tonë në sferën e politikës së jashtme.
Më lejoni fare në fund të përgjigjes së kësaj pyetjeje të theksoj se vetëm Gjykata Kushtetuese ka juridiksion dhe kompetencë të plotë për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e Draft-Statutit të BE. Ky është detyrim kushtetues dhe ndërkombëtar i vendit që nga viti 2013. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se vetë Qeveria nuk mund ta dërgoj të njëjtin në Komision të Venecias, meqë ne jemi anëtar i këtij forumi të respektuar, siç dihet. Kam pas nderin të jem përfaqësuesi i patë i Kosovës në Komision të Venecias, me të drejta të plota për katër vite me radhë.
Qëndrimi i BE ka qenë i qartë dhe i drejtë: zbatimi i marrëveshjeve të vitit 2023 përbën një çështje serioze të sundimit të ligjit, standard që duhet ta plotësoj Kosova, jo BE.
Gazeta Express: A mendon se një qasje e tillë e qeverisë së Kosovës në raport me një proces mjaft delikat si dialogu, e ka dëmtuar kredibilitetin e Qeverisë Kurti në raport me ndërkombëtarët?
Hasani: Pa asnjë diskutim që e ka dëmtuar. Sikundër dihet, dhe sikur mësojmë studentët e drejtësisë dhe të shkencave politike, kriteri thelbësor për të qenë shtet në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare është që shteti të jetë i aftë për të përmbushur detyrimet e marra ndërkombëtare. Mosqenia serioz në përmbushjen e këtij kriteri, prish jo vetëm kredibilitetin e vendit, por edhe pozitën e tij gjeopolitike.
Gazeta Express: Si profesor e njeri aktiv në jetën publike, çfarë ju thotë fakti që në Uashington u ftua presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti po mungon në platforma të rëndësishme ndërkombëtare?
Hasani: Shihet qartë që politikisht zonjën Osmani e konsiderojnë më bashkëpunuese dhe më të përgjegjshme ndaj aleatëve. Ky vlerësim është politik dhe nuk përjashton mundësinë e pasjes edhe të dimensioneve të tjera, por të cilat nuk mund t’i analizoj meqë do të futesha në sferën spekulative, që nuk është natyrë e imja.
Gazeta Express: Presidentja thotë se ajo është që e udhëheq politikën e jashtme dhe se ftesat për të janë diçka normale?
Hasani: Shefi i shtetit, sipas ligjit dhe zakonit ndërkombëtar, paraqet fytyrën e shtetit në komunikim me jashtë. Ai/ajo i prinë delegacioneve të shtetit kur shkojnë jashtë, nënshkruan kredencialet për ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë të rangut të njëjtë, autorizimet për funksionarë të shtetit kur ata negociojnë në emër të shtetit dhe kështu me radhë. Këtë e bën edhe shefi i ekzekutivit, kur është njëkohësisht shef shteti. Edhe shefi i ekzekutivit që nuk është shef shteti si dhe ministri i jashtëm kanë pozitë të mbrojtur sipas ligjit dhe të drejtës ndërkombëtare, por shefi i shtetit – pa marrë parasysh nëse është mbret, president, princ, kryepeshkop dhe kështu me radhë – ka kompetencën plenare (të plotë) të përfaqësimit të shtetit në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Në këtë kuptim, ftesat për Presidenten e Kosovës janë krejt normale. Por, do të ishin krejt normale edhe sikur ato të bëheshin për shefin e ekzekutivit të vendit, zotin Albin Kurti, si dhe ministren e Jashtme, zonjën Donika Gërvalla – Shvarc.
Sa i përket kontekstit kushtetues kosovar, siç dihet, në Kushtetutën e Kosovës përdoret shprehja “udhëheq”, por kjo asnjëherë nuk duhet të ngatërrohet më qeverisjen në politikën e jashtme që i takon ekzekutivit të vendit. Presidenti i Republikës së Kosovës nuk ka asnjë kompetencë ekzekutive, përveç kompetencës për të ndarë dekorata, ku vendos në shkallë të parë dhe të fundit. E thënë me pak fjalë, Presidenti i Republikës përcakton linjat dhe objektivat e përgjithshme të vendit në sferën e politikës së jashtme dhe të brendshme, pastaj qeveria është ajo që përcakton dhe zbaton politikën e jashtme (dhe të brendshme) të vendit. Kuvendi i Kosovës, ndërkaq, mbikëqyr politikën e jashtme (dhe të sigurisë) të vendit. Këto gjëra i kam sqaruar në Komentarin e Kushtetutës së Kosovës, që është botuar vite më parë, me mbështetjen financiare të GIZ-it gjerman. Në fakt, këto gjëra janë të qartë për çdokënd që ka njohuri elementare për të drejtën kushtetuese kosovare.
Gazeta Express: A mendon se kryeministri Albin Kurti do të rrezikojë të izolohet edhe më shumë ndërkombëtarisht nëse nuk do të ketë progres në negociata?
Hasani: Unë nuk shoh ngecje, por ngadalësim të tempos së negociatave, si pasojë e zgjedhjeve në dy anët e Atlantikut. Nuk ka asnjë shenjë që zoti Kurti nuk do të zbatoj detyrimet që ka marrë më 2023. Ju e shihni për çdo muaj ka takime në mes të zotit Bislimi dhe palës serbe dhe kjo është shenjë e mirë, sepse palët kanë vullnet për të ecur përpara me detyrimet marra. Tani përpjekjet e palëve janë për të gjetur modalitetet e vënies në jetë të asaj që kanë arritur më 2023. Nuk bëhet fjalë për rezistencë ndaj zbatimit, por ndaj renditjes kohore në zbatimin e detyrimeve të marra të palëve. Edhe kësaj i gjendet zgjidhja, sepse, po e përsëris, detyrimet e arritura më 2023 janë detyrime që Kosova nuk mund t’i shmang – nuk ka tjetër rrugë pos zbatimit të tyre. Ngadalë, por sigurt, ajo që shohim është zbatimi i tyre gradual.
Gazeta Express: Çka duhet të bëjë Kosova për të dalë nga ngërçi dhe a pret progres në dialog pas vendosjes së administratës së re në BE?
Hasani: Siç e thash, nuk është një ngërç që diktohet ose që ka për shkak palën kosovare. Ngadalësimi i tempos së dialogut lidhet me faktorët politik, zgjedhjet, në dy anët e Atlantikut. Prandaj përfundimi i tyre e riaktivizon dialogun aty ku ka mbet, pra te zbatimi i detyrimeve të marra në vitin 2023 .
Gazeta Express: Ka zëra që thonë se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin në këmbim të anëtarësimit në NATO. A mund të funksionojë ky “pazar” dhe cilat janë mundësitë që Kosova të anëtarësohet në NATO pa njohjen e disa prej vendeve anëtare. A ka mundësi SHBA t’i bindë aleatët aty që të pajtohen për anëtarësim pa njohur Kosovën?
Hasani: Kosovës mund t’i jepen sigurime shtesë për sigurinë e saj, siç edhe ju dhanë kur nisi përshkallëzimi i situatës në veri. Por të kushtëzohet pranimi në NATO me themelimin e Bashkësisë së komunave serbe, nuk besoj që është diçka që mund të realizohet.