Serbia ka për ta përsëritur Banjskën dhe atë me përmasa më të mëdha, tha për të dytën herë brenda një kohe të shkurtër Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Këtë koment me përmbajtje alarmuese Konjufca e bëri në konferencë për media të përbashkët me Presidentit e Këshillit Kombëtar të Zvicres, Eric Nussbaumer.
Konjufca në prani të zviceranit Nussbaumer foli për pretendimet territoriale të Serbisë karshi Kosovës të cilat, sipas tij, mund të përkthehet edhe në sulm konkret.
“Po qe Serbia lihet e pa ndëshkuar lidhur me agresionin terrorist në Banjskë që u krye në shtator të vitit të kaluar, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenarë por me përmasa më të mëdha”, tha Konjufca.
“Si një nga shtetet që nuk ka mbështetur sanksionimin e Rusisë përballë luftës së Ukrainës, dhe vazhdon të kultivoj bashkëpunim ushtarak me Rusinë, Serbia duhet të shihet jo vetën rrezik për Kosovën por të gjithë stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.
Të njëjtën gjë e tha Konjufca edhe para një jave kur në vizitë ishte Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq, me të cilën në konferencë të përbashkët për media tha se Serbia e trajton udhëheqësin e grupit paraushtarak, Millan Radojçiq, sikur të kishte bërë ndonjë “shkelje trafiku”.
E para Zupançiq, Konjufca tha se “kemi informacione të sakta” se po përgatitet një sulm ndaj Kosovës sikur ai i Banjskës së 24 shtatorit të vitit të kaluar.
“Gjersa po flasim këtu, instuticionet tona të sigurisë kanë informacione të sakta për një grup tjetër prej qindra që po trajnohen në Serbi për ndonjë sulm tjetër eventual” ndaj vendit, tha ai.
“Radojçiqi e ka marrë përgejgjësinë, dhe ndodhet i lirë, dhe vepra e tij po trajtohet sikur shkelje e trafikut. Kjo është me çka përballet Radojçiqi, mbrohet shtetërisht nga Beogradi”.
Ndryshe nga Konjufca, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur në A2CNN shprehej se “nuk pres” ndofarë Banjske tjetër “së shpejti”; ngase, siç e jepte ai, “terroristët e kanë marrë mësimin atë ditë”.
“Nuk do të mund ta përsërisin Banjskën e shtatorit të vitit të kaluar në një të ardhme të afërt…e kanë marrë mësimin me 24 shtator”.
Konstatimi i i madh Kurtit ishte që “shumica dërmuese e kriminelëve kanë ikur nga Veriu i Kosovës” dhe se tash “veriu s’ka qenë kurrë më i sigurtë”.
Sa për serbët vendorë, tha ai, “kemi informacione që kanë filluar një frymë të re të jetesës”.
“Janë të lumtur që ua hoqëm qafesh kriminelët”, vazhdoi ai thuajse në formë monologu – “…siguria e tyre veçsa vjen e rritet”.
Në raport me Serbinë dhe rrezikun e saj, Kurti tha që vendi synon të zmadhojë kapacitetet dhe aftësitë “që sulmi ndaj nesh, për ta, të bëhet i paleverdishëm”; dhe madje shtoi se “ata e kuptojnë këtë”.
“Natyrisht kemi partnerë e miq tanë, kemi Shqipërinë dhe shqiptarët në Ballkan dhe jo vetëm dhe e kemi NATO-n e cila ndonëse nuk na ka pranuar, ne e kemi NATO-n të integruar në arkitekturën tonë të sigurisë”.
Duke i qëndruar refrenit të Banjskës, ai iu kthye analizimit të qëllimit të tyre: “Ata morën peng pelegrinët serbë…ka mundësi që kanë qenë edhe koordinim…kanë dashur gjakë dhe shpërndarje të konfliktit…Kjo ka dështuar”:
“Ata paramilitarë të Banjskës, ata nuk e kanë pasur ndërmend të ketë luftë vetëm një ditë e vetëm në atë vend, armatimi ka qenë për shpërndarje të konfliktit… Plani tjetër, kanë shpresuar që ne ta çojmë FSK-në ta kalojë lumin Ibër, që të shërbejë që KFOR-i të i ndalojë, ose që të hyjë ushtria serbe”, pati thënë Kurti.