Dy arratisje në vetëm pak kohë, kanë tronditur institucionet e drejtësisë dhe opinionin e gjerë. Enver Sekiraqa e Faton Hajrizi arritën që në njëfarë forme t’i ikin sistemit. Pas arratisjes së Sekiraqës krerët e shtetit akuzuan institucionet e drejtësisë, konkretisht gjykatat, pa dhënë ndonjë premtim a garancë se shteti do të arrijë ta kap sërish atë.
Për dallim me këtë rast, pas arratisjes dy ditë më parë të Faton Hajrizit, i cili tash e 9-të herë ikë nga burgu, ministri Sveçla ka dhënë fjalë të mëdha, duke theksuar se shumë shpejt pret rezultate nga policia. Nuk dihet pse ministri Sveçla e ka këtë pritshmëri vetëm për rastin e Hajrizit dhe jo edhe për atë të Sekiraqës.
Çka ndodhi?
Faton Hajrizi u arratis për të 9-ën herë nga burgu. Pak pas orës 1 pas mesnatës të datës 06 korrik, Hajrizi iku. Madje vetëm një ditë më pas ai do të paraqitej në rrjetin social tik-tok duke treguar arsyet e arratisjes së tij.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media në Qafë Morinë tha se është çështje orësh apo ditësh, kur policia do të vijë me rezultate për këtë rast.
“Tashmë policia ka bërë angazhimin e saj që të hetojë rastin në plotëni, në qoftë arratisjen apo vendndodhjen e tij dhe arrestimin shumë të shpejtë. Policia po punon unë jam i bindur dhe policia shumë shpejt do të vijë me rezultate. Ju po i shihni rezultate e policisë për çdo ditë që të kemi numër minimal të rasteve ku kemi vështirësi në zbulueshmëri, do të thotë zbulueshmëria është maksimale, edhe veprimet e policisë janë jashtëzakonisht efektive. Unë nuk jam shumë i brengosur me këtë duke parë efikasitetin e policisë, është çështje orësh apo ditësh”, ka thënë ai.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dalur me një komunikatë për media lidhur me arratisjen e Faton Hajrizit.
Në një komunikatë, ata kanë bërë të ditur se Hajrizi ishte arratisur edhe në të kaluarën. Megjithatë, kanë theksuar se kohëve të fundit ai kishte pasur sjellje të mira.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F.H ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak”, thuhet në komunikatë.
Sipas SHKK-së, ai gjatë qëndrimit në Dubravë e ka përfunduar edhe shkollimin.
“Gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ai ka përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, ka marrë pjesë në programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative. Bazuar në këto sjellje, ai ka kaluar në trajtim të avancuar dhe ka realizuar disa herë të drejtën e pushimit jashtë institucionit korrektues”, thuhet më tutje.
Ata kanë bërë të ditur se Hajrizit ishte vet që kërkoi transferimin në burgun e Smrekonicës.
“I dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit”, thuhet në reagim.
Hajrizi shfaqet LIVE në TikTok
Faton Hajrizi, i dënuar për vrasjen e ushtarit rus, u arratis për herën e nëntë nga burgu ditën e shtunë. Ngjarja ndodhi nga burgu i Smrekonicës.
Përderisa për shtetin është i pakapshëm ende, Faton Hajrizi është shfaqur LIVE në rrjetin social TikTok.
Ai ka thënë se nuk është personi të cilin po tenton ta paraqesë Policia e Kosovës, raporton Nacionale.
Hajrizi është shfaqur me një maskë, pasi ka thënë se ka pësuar lëndime gjatë arratisjes.
Arratisja e Sekiraqës
Enver Sekiraqa u arratis “andaj gjykata tani ka vlerësuar se kanë pushuar të gjitha shkaqet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit dhe masa e arrestit shtëpiak, ngase i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale për të cilën është akuzuar dhe ndaj të njëjtit është bërë shpallja e aktgjykimit, andaj të akuzuarit i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, ashtu që Gjykata urdhëron që i njëjti të mbrohet në liri”, thuhet më tutje në vendimin e gjyqtarit si u dënua me 25 vjet burg për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, Sekiraqës iu ndryshua masa e arrestit shtëpiak, me atë të mbrojtjes në liri.
Vendimin e kishte marrë gjyqtari i rastit, Agim Kuçi.
Në vendimin e tij thuhet se kanë pushuar arsyet për mbajtjen e Sekiraqës në arrest shtëpiak.
“Gjykata me date 03.05.2024 ka shpallur aktgjykim dënues për të pandehurin dhe meqenëse është arritur sigurimi i tij në procedure gjykata vlerëson se kanë përfunduar shkaqet për të cilat është caktuar dhe vazhduar masa e arrestit shtëpiak”, thuhet në vendim.
Gjyqtari në fjalë që e kishte marrë vendimin është suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.