Presidenti kroat, Zoran Milanoviq ka deklaruar të martën se Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Kroacisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kështu është shprehur ai në takimin me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli hasani në Zagreb.
Milanoviqi gjithashtu e ka konfirmuar mbështetjen e fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Ai përsëriti besimin e tij se negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE duhet të kishin qenë tashmë në fazën përfundimtare, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se ky shtet është tashmë anëtar i NATO-s për 15 vjet”, thuhet në njoftimin e Presidencës kroate.
Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, më 27 mars ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që “Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”, tha Komiteti për Politikë dhe Demokraci.