Kush ishim dhe kush jemi, ku ishim dhe ku jemi…
Një vëzhgim rreth konceptit të termit gjeografik “Gadishulli Ilirik” dhe popullsia e këtij gadishulli në kohën antike për këto fise ilire që gjendeshin në Itali, Milan Shufflay ka vënë në dukje bashkëpunimin gjuhësor ndërmjet shqipes dhe italishtes jugore të Abruceve dhe të Puljes që ka elemente të substratit të mesapëve dhe japigëve, fise ilire këto të shpërngulura nga bregdeti ilirik (ballkanik) rreth shek. IX para e. re dhe të vendosura në Gadishullin Apenin. Po kështu, shumë studiues, sidomos Hamp-i në vitin 1957, thotë se:
“Nuk mund të ketë asnjë dyshim që mesapishtja dhe ilirishtja janë gjuhë motra” dhe se “çka themi për mesapishten vlen edhe për ilirishten” (Sh. Demiraj, vep. e cit. f. 185).
Fiset ilire që ndodheshin më në veri, u përzien me popullsinë gjermane e kelte që me kohë dhe u asimiluan, prandaj këtu më poshtë do të flitet vetëm për ato fise ilire që në kohën e pushtimeve romake nuk ishin përzier aq shumë me keltë e gjermanë, sa të humbnin individualitetin e tyre.
Nga ana e Jugut shtrihej Epiri. Straboni thoshte se Epiri fillon nga Shkumbini (Genysys); përkundër tij Tit Livi thoshte se Epiri shtrihej nga Vjosa poshtë. Ka edhe studiues të tjerë që Epirin e ndajnë në dysh: Epiri shqiptar dhe Epiri grek.
Duke filluar nga Veriu për të zbritur në Jug (në Epir), historianët përmendin këto fise ilire:Liburnët, që shtriheshin në Dalmatinë e Veriut, tek Alpet Dinarike në çarkun e Zarës së sotme, rreth degës së majtë të lumit Krka, ndërmjet Skardonës e Kuinit (Kninit?). Rronin me lundrim nëpër det dhe ishin popull luftëtar. Thonë se ishin kusarë të njohur në Detin Adriatik. Në kujtim të liburnëve një anije e madhe tejoqeanike mban emrin “Liburnia”. Përmes flotës së tyre të fusqishme, liburnët u për hapën edhe në Itali, Korfuz e në Durrës.
Në jug të liburnëve shtrihej fisi i madh ilir dalmatët. Qyteti më i madh i dalmatëve në bregdetin Adriatik ka qenë Solana. Romakët e bën Solanën kryeqytet të Dalmacisë, prandaj Diokleciani si u tërhoq nga politika, ndërtoi një pallat të bukur në Solanë dhe jetoi aty derisa vdiq.
Hulumtimet arkeologjike që kanë bërë austriakët e gjermanët në vendin e dalmatëve (në Dalmacinë e sotme) tregojnë së shtëpitë e dalmatëve si kështjella maje malit, të ndërtuara shumica prej gurit, por kishte edhe aso me baltë dhe me drurë; brenda kishin puse ose kroje dhe stallën (ahurin) vathën, ashtu siç i kishin edhe malësorët tanë në Shqipërinë e Veriut.
Qytetet e brendshme në Dalmaci kanë qenë Delminiumi dhe Setuia. Dalmatët nuk kanë pasur mbretëri, por kishin pleqësi dhe qeverisje kolegiale. Ata kishin edhe një aristokraci, që pas pushtimit romak quhej principes. Thrakasit e këtushëm formonin pjesën punëtore dhe bujqësore të këtij klani.
Dalmatët si u pushtuan prej romakëve u romanizuan dalëngadalë dhe humbën edhe gjuhën e tyre. Pasi erdhën sllavët, gjuha dalmatine u sllavizua. Italishtja e dialektit venecian u mbajt nëpër shumë qytete të bregdetit Adriatik krahas serbishtes r kroatishtes deri në kohën tonë, por ilirishtja humbi tërësisht. Edhe pse të sllavizuar nga gjuha, dalmatët ndryshojnë nga fizionomia prej sllavëve të brendshëm. “Dalmatët
ende mbajnë fizionomi ilire”, konstaton M. Frashëri. (M. Frashëri, vep. e cit. f. 73). Si shembull i kështjellave ilire në Dalmaci mund të jetë ajo e Oshanjicit afër Stallaçt në Hercegovinë.
Ardianët janë fisi i tretë i ilirëve të veriut, që shtriheshin në krahun e djathtë të lumit Narenta (Neretva), ndërsa në krahun e majtë të këtij lumi shtriheshin Autarjatët. Të dy këto fise ilire shtriheshin në Hercegovinën Perëndimore dhe në bregdetin Adriatik. Qysh në shek. IV para e. re, historianët i tregojnë si kundërshtarët më të rreptë të kolonialistëve grekë që gjendeshin brigjeve të Adriatikut.
Adrianët kishin një mbret ose një mbretëreshë, por lidhja politike, morale dhe ajo shoqërore nuk ishte gjithaq e fortë. Individualiteti i padisiplinuar i ilirëve i lente mbretërit e tyre pa fuqi të mjaftueshme. Këta mbretër ilirë kishin njëfarë kryesie federale mes fiseve, që e mbanin kurdoherë me kuvende e me traditë më tepër se me fuqi shtetërore. Kolektiviteti i dobët i fiseve ilire ka qenë shkak që nuk kanë dalë mbretëri
të forta që të bënin një veprimtari të vazhdueshme shtetërore.
Adrianët e quanin kusainë e detit legjitime dhe e kishin bërë gati si profesion. U suleshin qyteteve të huaja dhe i plaçkitnin. Këtë jo vetëm që nuk e konsideronin për turp, por e merrnin si trimëri dhe tregti.
Kolonitë greke kërkuan ndihmë nga Roma për t’u siguruar nga kusarët. Këto sjellje të Adrianëve shkaktuan luftën e Romës kundër mbretërisë ilire në udhëheqjen e Teutës. Pasi ilirët e humbën këtë luftë, Teuta e transferoi kryeqytetin nga Risani në Shkodër, ku ndërtoi një kështjellë shumë të fortë në kodër ku gjendet edhe sot, por e riparuar nga romakët, venecianët, nga sllavët dhe në fund nga turqit. Mjeshtrit e kësaj kështjelle kanë qenë grekë. Asokohe Buena – Buna quhej Barbanna, lumi Kiri (Clausala), Drini (Drilo-n), ndërsa Alpet e Shqipërisë atëherë quheshin Bertiscus. (M. Frashëri, po aty, f. 75)
Në Narentën e Poshtme (Neretva) jetonte fisi ilir që ishin DAORSËT, që kishin edhe monedhat e veta me simbolin e anijes.
Japodët kanë qenë fis i madh ilir që jetonin pranë liburnëve në brendësi dhe në bregdet, në Bosnjë e në Kroaci. Kryeqyteti i tyre ishte Metulum, që gjendej në malin Vinçiça afër Çakovecit të sotëm dhe qytetit kroat Ugolin. Japodët nuk kishin qeveri, por rronin si malësorët e sotëm të Gegërisë, të ndarë në fise që sundoheshin prej pleqësive.
Pas Japodëve, në mes të Bosnjës jetonin Desiatët, të cilët duke qenë larg bregdetit, nuk përmenden nga romakët sa fiset tjera. Desiatët morën famë me kryengritjen e Batonit. Kryeqyteti i tyre ka qenë Artufa, që u rrënua tërësisht në kohën e Tiberit, në vitin 9 të e. re, kur u shua edhe kryengritja e Batonit.Labeatët rreth Liqenit të Shkodrës; Dukleatët, në Mal të Zi; Pirustët, në Mirditën e sotme;
Dardanët, fis i madh ilir nga Vardari, Drini i Bardhë e deri në Timok, që ndan kufirin ndërmjet Serbisë e Bullgarisë së sotme, duke përfshirë edhe tokat rreth Moravës Jugore.
Dardania ka qenë mbretëri para ardhjes së romakëve si dhe gjatë kohës romake.
Në fushën e Korçës shtriheshin Dasaretët deri në Berat dhe në breg të Liqenit të Ohrit;
Kandavët, që shtriheshin te Shkumbini i Sipërm e deri në Ohër;
Fisi ilir Fordaj rreth Devollit e Shkumbinit të mesëm me kryeqytet Skampan (Elbasanin e Vjetër); Partinët, nga Shkëmbi i Kavajës e deri në breg të Matit – gjithë fushën e Shqipërisë së mesme; Albanët – Arbanët, fis ilir që shtriheshin nga malet e Krrabës, vargun e Dajtit dhe fushat në mes të tyre me kryeqytet Albanopolis-in;
Penestët, pjesa e sipërme e Matit dhe Drinit të Zi me kryeqytetin Uskana (Dibra e vjetër);
Skritonët, fis ilir që jetonin në Malësinë e Gjakovës (Reka e Keçe, Tropoja, Gash e Krasniqe, Nikaj e Mertur).
Fiset ilire që përmenden nga autorë të vjetër grekë e romakë në Jug të Shkumbinit e poshtë është Epiri me krahinat e tij.
Disa studiues Epirit i thonë edhe Toskëria. Gjini i Prevezës dhe i Artës formojnë skanjet e fundit të Shqipërisë.
Zonat e Shqipërisë së Vjetër të Jugut kanë qenë:
Kassiopie me qytetet e vjetra Prevezë dhe Nikopojë (Nicopolis); 2. Amphilobia me kryeqytetin e vjetër Argos, që sot është i mbuluar me ujë. Grekët e quajnë Filocastre (M. Frashëri, vep. e cit. f. 80-81) Historianët thonë se amphilokitët e vjetër kanë qenë barbarë, do të thotë jogrekë, johelenë; 3. Krahina e Sulit me suljotët, vend me rëndësi të madhe në Toskëri. Ka 11 fshatra. Straboni në librin 7-të, f. 328 dhe Plini në librin 4-të bëjnë fjalë për fisin që quhej Sulion prej të cilit delnin fetarët e tempullit të Jupiterit e
të Dodonës, që formonin një “congregacion” dhe administronin tempullin Dodona, që kishte famë të madhe për tregimin e fatit; 4. Ajdonia në jugperëndim të Sulit, që quhej edhe Celtik; Zagoria, që moti quhej Perrebbi. Ujërat e kësaj zone formojnë lumin Narta, që quhej moti Aractus; 6. Atintonia afër Zagorisë me qytetin e vjetër Konica.