Historia e panjohur e Sazanit: A do vazhdojë të mbetet një tokë e ndaluar për shqiptarët?

Sipas autorit të vjetër romak Sklymi, në antikitet Sazani thërritej me emrin Sasan, që do të thotë ishulli i Shpresës ose i Gurit.

Autori tjetër i antikitetit Skilariaki thotë: “Më afër maleve Kereune është një ishull i vogël që quhet Sasan. Prej këtej në qytetin Orik (Orikum) lundrimi mban një të tretën e ditës”.

Ndërsa gjeografi i shquar Aleksandër Ptolemeu shek.II-të p.e.s përmend ishullin e Sazanit në koordinatat gjeografike të tij  44º 10’ dhe 30º 30’, që janë afër realitetit të sotëm.

Detari i shquar romak Plini në shekullin I p.e.s thotë, “Tremijë hapa larg nga Oriku gjendet Ishulli i Sazanit i përmendur si qendër piratësh.

“Është unik në botë” – tha Jared Kushner, dhëndrri i Donald Trump në intervistën e tij në Bloomberg për Sazanin.

Në fakt i vetmi ishull i mirëfilltë i bregdetit shqiptar ka një histori enigmatike edhe për vetë ne shqiptarët, shumë prej të cilëve nuk e kanë shkelur kurrë.

Gazeta DITA shkruan në numrin e sotëm mbi historinë e Sazanit.

Pushtime të panumërta

Përvecse një bukuri e pashoqe e natyrës sonë ujore, Sazani ka një histori pushtimesh të panumërta.

Gjatë Mesjetës Sazani ishte zotërim i Venedikut, që zotëronte pothuaj pikat më strategjike të Adriatikut, madje dhe të Mesdheut”.

Edhe mbreti Ferdinand i Napolit në vitin 1481 e ka përdorur Sazanin si bazë ushtarake.

Në shekullin e XV-të u pushtua nga osmanët.

Në fillimin e shekullit të XIX-të, Sazani së bashku me disa ishuj të tjerë jonianë u pushtua nga Anglia, e cila në vitin 1864 ia kaloi Greqisë.

Gjatë luftërave Ballkanike, në vitin 1912, për të bllokuar daljen në det të qeverisë së parë shqiptare të Ismail Qemalit, grekët vendosën trupa në Sazan.

Në 30 dhjetor të vitit 1914, Sazani u pushtua nga Italia.

Në vitin 1920 italianët u përzunë nga Vlora, por jo nga Sazani. Ai u kthye në një vend internimi, më saktë në një “burg natyror” për ata që kundërshtonin fashizmin.

Përkatësia e Sazanit ndaj Italisë është sanksionuar nga Traktati Italo-Shqiptar i 3 gushtit 1920, i ratifikuar nga Konferenca e Parisit në 5 nëntor 1921, edhe pse ishte një tokë tërësisht shqiptare.

Ishulli i Sazanit i përkiste ëndrrës së madhe të Italisë, pasi siç thuhej ajo donte t’i kishte të garantuara e të sigurta “dyert e lindjes”.

Megjithatë kohët do të ndryshonin. Më 21 tetor 1944 ishulli merret nga partizanët dhe Sazani bëhet një herë e përgjithmonë tokë shqiptare.

Ishulli u çlirua nga Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar.

“Çelësat e Otrantos”

Më pas, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe.

Në ishull asokohe ishin vendosur kryesisht anijet katera siluruese, artileria bregdetare etj.

Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull.

Ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për ushtrinë në rast lufte.

Për këtë arsye njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe.

Ushtarakisht nga Sazani kontrollohet i gjithë bregdeti shqiptar si dhe kanalin e Otrantos,

Është kjo arsyeja pse Enver Hoxha e quante ishullin e Sazanit si një nga pikat me nevralgjike jo vetëm të Shqipërisë dhe të Ballkanit, por edhe të gjithë Evropës, duke thënë shprehjen e famshme se “çelësat e Otrantos i kemi ne”.

Pas rënies së komunizmit në 1992, pas 5 vitesh, në 1997 në ishull u vendosën disa motovedeta dhe anije të forcave detare Italiane të cilat asistonin luftën kundër trafiqeve të jashtëligjshme dhe ndihmën për ringritjen e kapaciteteve operative të forcave detare dhe policisë kufitare shqiptare.

Në vitin 2009, pas plot 12 vjet qëndrimi në ishull, forcat detare italiane largohen nga Sazani, i cili në planet e Ministrisë së Mbrojtjes Shqiptare do vazhdojë të shërbejë akoma si bazë detare.

Potenciali turistik

Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katror dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer.

Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut. Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra.

Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës. Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra. Klima e Sazanit është e butë, mesdhetare.

Temperatura mesatare vjetore është 16,2 gradë Celsius. Mesatarja e janarit është 10 gradë Celsius dhe e korrikut 23,4 Celsius. Sasia mesatare e reshjeve është 715 mm në vit. Ishulli nga pikëpamja e ekosistemit është një park i vërtetë, shumë i pasur dhe i mbrojtur, si rezultat i të qenit vazhdimisht zonë ushtarake.

Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera. Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.

Në Sazan ndodhen  7 specie amfibësh, nga të cilat 3 janë specie të rralla. Ishulli përmban 15 specie zvarranikësh nga të cilët 13 specie zvarranikësh janë të rrallë.

Disa nga këto amfibë dhe reptilë janë: Hardhucë luspore me gushë blu, hardhuca jeshile ballkanase, zhapiku evropian i bakrit, nepërka amodite gjendet në pjesën tokësore të afërt, por mungon në Ishullin e Sazanit. Mungesa e kësaj nepërke prezanton një interes të lartë shkencor sepse tregon formimin dhe ndarjen e ishullit përpara shfaqjes së kësaj specieje.

Periferia e ishullit ka shumë plazhe të bukura e të pashfrytëzuara.

Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë në Mesdhe.

Sazani është pra, ushtarak, por edhe një vend i bukur, me resurse të papërsëritshme turistike.

Kush hedh miliarda do fitojë miliarda, por frika e kritikëve është se me futjen e investimeve elitare atje, për shumicën e shqiptarëve Sazani do vazhdojë të jetë një tokë e ndaluar.