Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se pavijoni i vendit ka fituar një Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në edicionin e 60-të të të njohurit Bienal i Venecias.
Kjo mirënjohje vjen si një premiere që prej pjesëmarrjes së parë të Kosovës në këtë event prestigjioz në vitin 2013, dhe thekson kontributin e gruas kosovare në skenën artistike ndërkombëtare.
“Gratë e Kosovës shkruajnë histori. Sërish! Kjo është një tregues i suksesit të shtetit tonë në botën e artit,” theksoi ministri Çeku. Ai vlerësoi punën dhe talentin e artistes Doruntina Kastrati, e cila me veprën e saj artistike ka arritur të përhapi emrin e Kosovës në një skenë botërore me mbi 80 shtete pjesëmarrëse.
Instalacioni “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, i cili është kuruar nga Erëmirë Krasniqi dhe komisionuar nga Hana Halilaj, është frymëzuar nga përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren. Vepra sjell në vëmendje rrënjët dhe thellësinë e kulturës së punës dhe jetës së grave kosovare në të kaluarën dhe të tashmen.
Në momentin emocionues të ngjitjes së ekipit kosovar në skenë për të pranuar mirënjohjen, në imazhet e siguruara nga Klan Kosova u pa një zhvillim i veçantë; zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Kulturës e Serbisë, Maja Gojkoviq, zgjodhi të largohej nga salla.
Ky veprim, që shënoi një moment tensioni në një ngjarje që festonte artin dhe kulturën, nuk e zbehu shkëlqimin e pavijonit të Kosovës dhe të artistëve të saj që u nderuan me këtë çmim prestigjioz.