Janë publikuar detaje të reja nga prokuroria për sulmin ndaj gazetareve të lajmi.net, Lindita Berisha dhe Fjolla Hyseni.
Dokumentet e deklaratave janë publikuar në “Betimi për Drejtësi”.
Në deklaratat e dhëna nga e pandehura, që sulmoi gazetaret, thuhet që sipas saj, pas bllokimit të rrugës, burri i të pandehurës ka kërkuar që rruga të lirohet për të lëvizur lirshëm.
Me daljen nga makina e tyre, sipas saj burri ka tentuar t’i kërkojë taksistit që të lirohet rruga, ndërsa e pandehura për sulmin ndaj gazetarave, ka deklaruar se ajo e ka ndjekur burrin nga mbrapa.
Në videot e publikuara nga lajmi.net, shihet qartë se e pandehura ka sulmuar gazetaret si verbalisht dhe fizikisht. Siç edhe ka raportuar lajmi.net, e akuzuara dhe burri i saj kanë pasur sjellje agresive edhe ndaj taksistit, mirëpo veçanërisht në fund ndaj gazetareve, për çka si provë bazë dhe e qartë janë edhe pamjet.
Tutje ajo në deklaratë ka thënë se ka tentuar që t’ua largojë telefonin gazetareve, pasi që ato, sipas saj, ishin duke incizuar pa paralajmërim, ku ka kërkuar edhe fshirjen e videove.
Avokati i së pandehurës, ka thënë se nuk është dakord me vendimin e prokurorisë për mbajtjen e saj në ndalim shtëpiak.
Detajet e reja tregojnë edhe deklaratën e taksistit, i cili ka thënë se sulmuesit kanë tentuar t’i godasin pasagjerët e tij, duke iu referuar gazetareve dhe kameramanit të lajmi.net. Tutje ai ka thënë se pas këtij incidenti ai nuk është ndjerë i kërcënuar.
Incidenti i 3 prillit me gazetaret e lajmi.net, ka sjellur shumë reagime nga organizata të ndryshme por edhe gazetarë dhe panelistë që kanë shprehur përkrahjen për gazetaret, dhe kanë dënuar sulmin ndaj tyre.