Me fillimin e shtatorit, fëmijët janë tema kryesore e diskutimeve për shumëkënd. Të gjithë prindërit, sidomos ata që e përjetojnë për herë të parë këtë eksperiencë, kanë shumë pyetje dhe interes në lidhje me ambientin, kurrikulat dhe gjithçka që fëmija i tyre do të përjetojë çdo ditë në kopsht apo çerdhe. Në këtë shkrim, pediatrja dhe psikologia Lira Gjika tregon se duhet të heqim dorë nga mendësia e të mbajturit fëmijën në shtëpi, por t’i krijojmë hapësirë të socializohet.
Nga Lira Gjika
Mendimi i mbrapshtë se çerdhet dhe kopshtet janë “shpikur” se nënat duhet të punojnë dhe s’kanë ku t’i lënë fëmijët, nuk është i vërtetë. Çerdhet dhe kopshtet janë institucione edukimi të një rëndësie të veçantë, të specializuara për të edukuar fëmijët dhe jo thjesht për t’i mbajtur ata. Janë këto institucione që merren pikërisht me atë periudhë të jetës së njeriut, kur formohen themelet e gjuhës, psikikës dhe njerëzores. Në traditën tonë besohet se fëmija nuk kupton, nuk merr vesh dhe nuk mund të dijë. Kujtoni shprehjet “Ku merr vesh kjo/ky, është i vogël mi” apo “Po ku di ky/kjo mi, se është i vogël”.
Te ne gjithmonë i është dhënë rëndësi ushqyerjes dhe gjumit. Kujtoni shprehjet: “Jepja me zor. Oj nuk ha, se ka gjithë të mirat “ dhe “Aman mos bëj zhurmë se zgjohet i vogli dhe kush merret me të”. Pra, duke u nisur nga fakti që fëmija nuk kupton, as qe i shkon në mendje njeriu se me fëmijën e porsalindur apo disa muajsh, duhet luajtur patjetër rregullisht.
Lojërat e kësaj moshe kanë një efekt të fuqishëm mbi masën trunore, për zhvillimin e “rrugëve” të komunikimit. Këtë detyrë të rëndësishme kanë çerdhet dhe kopshtet. Ato nuk janë vetëm për të mbajtur, ushqyer dhe vënë në gjumë fëmijën. Është e vërtetë që edhe kjo nuk është një punë e vogël, por në institucione të specializuara me programe të mirë studiuara dhe personel të mirë kualifikuar nuk pritet një punë e tillë, por një punë cilësore në drejtim të njerëzores, dhembshurisë dhe gjuhës.