Një valle që ngre në qiell shqiptarët në Kosovë është edhe vallja e mrekullueshme e Shotës. Kjo valle është njëra ndër vallet e cila luhet, por edhe këndohet jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Bosnjë, Serbi, Kroaci, Maqedoni, Turqi, Bullgari e madje edhe në Greqi, jo vetëm te arvanitasit.
Mund të themi me gojën plot se kjo është e vetmja valle që ka depërtuar edhe në muzikën serbe, ndërsa në muzikën boshnjake është po aq e mbase edhe më e përhapur se te ne.
Nuk e saktësojmë dot kohën kur është luajtur për herë të parë në Shqipëri, por e dimë me siguri se në Kosovë është luajtur edhe para Luftës së Dytë Botërore.
Shumica e brezit të vjetër, sidomos në Drenicë, kanë ditur ta luajnë vallen dhe e kanë luajtur e kënduar nëpër dasma. Shumë femra në Kosovë mbajnë këtë emër, në radhë të parë për kujtim të Shote Galicës.
Te hungarezët është e njohur vallja “Çardash”, vallja Çyçek te turqit, te serbët si vallja e Uzhicës, e Moravës, e Çaçakut, apo kryesisht valle me emra të qyteteve, sikur rëndom janë të përhapura vallet, kudo në Ballkan.
Te serbët është kompozuar edhe një valle dyshe, e cila quhet vallja e Shotës dhe e Uzhicës. Te turqit është e njohur vallja e quajtur rumeli Shota, te bullgarët arnauatsko oro, e kështu me radhë.
Pa dyshim se kjo valle lidhet me Shote Galicën, luftëtaren popullore, Qerime Halil Radisheva, bashkëshortja e Azem Galicës. Nuk kemi të dhëna që flasin se kjo valle është luajtur dhe është kënduar në kohën e sundimit turk.
Shota është një valle karakteristike e luajtur nga valltarët, me tërë energjinë dhe me ritëm të shpejtë, e cila zakonisht luhet nga dy valltarë, mashkull e femër, (apo edhe në më shumë çifte), është valle që përshkohet me një ritëm impresionues që zgjon peshë emocionet si nga lëvizjet e shpejta ritmike, që nuk është mjaft karakteristikë e valleve shqiptare, por në këtë valle kemi karakteristika të cilat mendojmë se kanë disa veçori, që paksa dallojnë nga vendi në vend.
Vallja e Shotës ka qenë edhe në repertorin e Orkestrës Filharmonike të Beogradit, versioni i përpunuar nga kompozitori i njohur kroat, Josip Sllavenski, pastaj Rexho Mulliqi e të tjerë.
Ekzekutimi në shumë variante i kësaj valleje në Serbi ka shkaktuar tronditje te nacionalistët dhe shovinistët serbë, të cilët përbuzin e fyejnë bashkëkombësit e tyre, në forumet e internetit, por edhe në komente e shkrime, sepse e luajnë këtë valle shqiptare, e cila sipas shumicës së tyre i kushtohet Qerime Galicës, për të cilën serbët thonë se gjoja ajo vetë kishte vrarë, madje edhe kishte djegur fëmijë serbë.
Natyrisht se kjo histori histerike është krejt e shpifur, por gënjeshtra në Serbi ka gjetur dhe gjen vegjetacion të jashtëzakonshëm për të mbijetuar. Këtë e ka pranuar botërisht shkrimtari më i madh dhe më i lexuari në Serbi, Dobrica Qosiç,
Duke parë se kjo valle është futur aq thellë në popull dhe duke qenë se nuk ka grup folkloristik që nuk e kishte pasur, dhe nuk e ka në mesin e këngëve e valleve për interpretim, publiku serb, duke mos pasur rrugë tjetër, ka filluar ta përvetësojë si valle të moçme të serbëve të Kosovës, duke u mbështetur në emrin e valles, e cila, sipas tyre, i përket gjuhës serbe.
Po të mbështetemi në gjurmimet folklorike shqiptare në Kosovë, nuk duket se është hulumtuar gjeneza e kësaj valleje, e cila për çudi ka mbijetuar si asnjë valle tjetër, jo vetëm në vendin tonë por në mbarë Ballkanin.
Shota njihet edhe si valle e kënduar, në Bosnjë, Serbi, Sanxhak e në shumë vende, madje edhe në gjuhën shqipe me vargjet.
Katër vargjet karakteristike të kësaj kënge janë të pranishme kudo në potpuritë popullore:
- Hajde shoto mashallah,
- Me burrin përkrah!
- Luaj Shoto Luaj Shoto luaj
- Hakun ta paguaj.
Kjo strofë e këngës është e përhapur kudo, ndërkohë që kësaj potpurie këngëtari popullor i ka ndajshtuar edhe vargjet specifike, të cilat madhërojnë jetën dhe luftën e saj për çlirimin e vendit nga robëria serbe.
- Shota e Azemit
- Mbesa e Skënderit,
- Shotë moj heroinë,
- Nderove Shqipninë,
- Shota n’ borë e n shi
- Luftoi për Shqipni,
- Shota n shi e borë
- Luftoi për Kosovë.
Fenomeni dhe tipologjia muzikore artistike e ritmike e kësaj valleje, e cila me lehtësi i ka përballuar kohës, duke u radhitur si valle emblemë, në mesin e valleve si “vallja e shqipeve”, “Vallja e burrave” “Vallja e shpatave” dhe valle të tjera karakteristike, ka veçantitë dhe veçoritë e veta në kohë dhe hapësirë, në sinkroni dhe diakroni.
Fakti se kjo valle luhet dhe këndohet te të gjithë popujt e Ballkanit e më gjerë, jep për të kuptuar se kemi të bëjmë me një fenomen që nuk është vetëm muzikor, aq më pak i rastit, por sipas mendimit tim lidhet me traditën historike, me një apo disa personalitete të caktuara të historisë së rezistencës shqiptare, e cila i akordon traditës të pashkëputur të historisë sonë kombëtare, e njohur për kontributin madhor që ka thënë femra në jetën shoqërore, dokesore, në historinë e shtetit, të rezistencës dhe të luftërave çlirimtare. Në të gjitha luftërat tona çlirimtare prej kohës së Skënderbeut e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, femra ka luajtur rolin e vet historik, të pamohueshëm.