Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që vendi të shkojë në zgjedhje.
Kjo thirrje e saj vjen pas publikimit të sondazheve në kuadër të OMNIBUS-it që realizohet nga UBO Consulting për matjen e opinionit publik.
Me anë të një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se me qeverisjen e tij, Kurti do të shënojë në histori si më e dështuara ndonjëherë.
“Kryeministër, nëse je vërtetë i kënaqur me sondazhet, hajde shkojmë në zgjedhje. Edhe ashtu, prej korrikut të kemi lutë me e shpërnda Kuvendin. Çohu shkojmë në zgjedhje, edhe e merr vesh tamam se qysh i ke numrat edhe sa janë të kënaqur qytetarët me qeverisjen tënde, e cila do të shkoj n’histori si më e dështuara ndonjëherë!”, shkroi ajo.
Nga sondazhi, në kuadër të OMNIBUS-it për matjen e opinionit publik, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të printe e para në listë, duke kryesuar me 48.5 për qind.
Ndërsa, partia tjetër që kryeson në vend të dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 18.2 për qind, duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me 17.9 për qind.
Pas këtyre partive pason AAK-ja, e cila rezulton të ketë 6.8 për qind.