Një person me shtetësi të dyfishtë ruso-izraelite, i cili dyshohet se hyri fshehurazi në një avion dhe fluturoi nga Danimarka në Los Anxhelos në nëntor pa pasaportë dhe pa biletë, po hetohet nga autoritetet amerikane sesi arriti të shmangte të gjitha kontrollet e sigurisë në aeroportet evropiane.
Ai u tha hetuesve se nuk mund të mbante mend se si e kaloi sigurinë në Evropë, sipas një ankese federale të paraqitur nga FBI.
Sergei Vladimirovich Ochigava mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Anxhelosit më 4 nëntor me fluturimin 931 të Scandinavian Airlines nga Kopenhagen.
Një oficer i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA (CBP) nuk mund ta gjente Ochigavën në listën e fluturimit ose në ndonjë fluturim tjetër ndërkombëtar. Burri, i përshkruar në dokumentet e gjykatës si një shtetas i dyfishtë ruso-izraelit në mesin e të 40-ave, nuk kaloi pa u vënë re në fluturim, gjatë të cilit ai u përpoq të fliste me disa pasagjerë.
Ekuipazhi i fluturimit u tha hetuesve se Ochigava ishte ulur në një vend që supozohej të ishte bosh kur fluturimi u ngrit. Pas ngritjes, ai vazhdoi të endet nëpër aeroplan, duke ndërruar sediljet dhe duke u përpjekur të fliste me pasagjerët e tjerë, të cilët e injoruan atë, sipas ankesës së FBI-së.
Ochigava u akuzua se kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në një avion dhe u deklarua i pafajshëm në gjyqin e zhvilluar më 5 dhjetor, ndërsa gjykimi tjetër është caktuar në 26 dhjetor.
Ai nuk kishte pasaportë apo vizë për të hyrë në SHBA, thanë zyrtarët. Burri shpjegoi në anglisht se kishte lënë pasaportën e tij në avion.
Dhe kur oficerët kontrolluan çantën e tij gjetën “atë që dukej të ishte identifikimi rus dhe një kartë identifikimi izraelite”, thanë zyrtarët federalë në dokumentet e gjykatës.
Ata gjetën gjithashtu një foto në telefonin e tij që tregonte pjesërisht një pasaportë me emrin e tij, datën e lindjes dhe numrin e pasaportës, por pa foto, thanë ata.
Ochigava “siguroi informacion të rremë dhe mashtroi në lidhje me udhëtimin e tij në SHBA, duke deklaruar fillimisht se e la pasaportën e tij amerikane në avion” thuhet në deklaratën e FBI.
Ai u tha agjentëve të FBI-së se kishte një doktoraturë në ekonomi dhe marketing dhe se puna e tij e fundit ishte si ekonomist në Rusi.
“Ochigava pretendoi se nuk kishte fjetur për tre ditë dhe nuk e kuptonte se çfarë po ndodhte,” thuhej ndër të tjera në deklaratë.
Ai u tha oficerëve se mund të kishte pasur një biletë avioni për në SHBA, por nuk ishte i sigurt. Po ashtu ai tha se nuk e mbante mend se si e kaloi sigurinë në Kopenhagën dhe nuk do të shpjegonte se çfarë po bënte në qytetin skandinav.