Një ngjarje e pazakontë është shënuar në kryeqytetin e Australisë, ku një vajzë hyri në pistën ku qëndronte avioni që po përgatitej për tu nisur.
Në aeroportin e Kanberrës, e reja ka ecur dhe kryer veprime të tjera pranë avionit, ndërkohë pamjet po bëjnë xhiron e rrjetit. Në avion ndodheshin pilotët, të cilët kanë vëzhguar vajzën që ka lëvizur pranë mjetit fluturues.
E reja ishte veshur me shapka, një xhup ose xhaketë ngjyrë gri dhe me pantallona të zeza, ndërkohë në dorë ka mbajtur telefonin.
Menjëherë pasi ka kryer veprimet, kryesisht poshtë avionit, ajo është larguar me shpejtësi.
Ende nuk dihet realisht se çfarë e ka shtyrë vajzën të bëjë këtë veprim, por një dëshmitar ka deklaruar se ajo humbi fluturimin për këtë arsye ka zbritur në pistën e aeroportit.
“Ajo humbi fluturimin e saj, kështu vendosi të hynte në pistë në përpjekje për ta kapur. Vajza shtyu stafin dhe vrapoi deri tek avioni, duke qëndruar kryesisht pranë pjesës së përparme. Fatmirësisht piloti e vuri re dhe nuk mori asnjë veprim që mund ta lëndonte”, deklaroi dëshmitari sipas Daily Mail.
Stafi dhe pilotët u njoftuan menjëherë pasi autorja hyri në pistë përmes daljes së emergjencës. Ajo u vu në pranga për veprimin që kreu, gjë që mund t’i kishte rrezikuar jetën.