Pas vizitave të pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor dhe shkëmbimeve që ata patën me palët, Bashkimi Evropian – megjithëse nuk u dhanë specifika – tha se ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin komunave me shumicë serbe. Blloku evropian tha se pret që palët të ndërmarrin veprime të shpejta për të normalizuar marrëdhëniet..
Këto deklarata i bëri zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili konfirmoi se blloku ka ftuar në Bruksel të enjten, më 26 tetor, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur do të mbahet samiti i BE-së.
“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi], Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Stano, percjell REL.
Më tej Stano shtoi se priten “hapa të shpejtë” nga Kosova dhe Serbia si parakusht për të treguar gatishmërinë për të vazhduar procesin e normalizimit.
“Priten hapa të shpejtë të palëve që të dëshmojnë se janë të përkushtuar për të vazhduar procesin e normalizimit, duke përmbushur obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara, pa vonesa dhe parakushte”.
Zëdhënësi gjithashtu shtoi se liderët të dyja vendeve janë të ftuar në takimin për mbështetjen e dialogut në margjinat e takimit të Këshillit Evropian gjatë kësaj jave.
“Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar të marrin pjesë në takimin për mbështetjen e dialogut në margjinat e takimit të Këshillit Evropian më vonë gjatë kësaj jave”, deklaroi ai.