Nuredin Gashi, përkrahësi i kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinaku, ka bërë një deklaratë skandaloze duke u shprehur se çdo person i cili kryen veprime, sipas tij, të këqija sikurse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të vritet.
Në një lidhje direkte në “Debat Plus”, Gashi ka komentuar deklaratën e Faton Klinakut gjersa e quajti tradhtar Kurtin dhe subjektin politik të tij.
“E kam thënë dhe e them prapë, nuk e marr tragjike deklaratën e Faton Klinkaut sepse atdheu është më me vlerë sesa të gjitha. Konsideroj se çdo njeri i cili bën të këqija, siç bën Albin Kurti, dhe po të isha në vendin e tij, duhet të vritet patjetër sepse është tradhti ndaj atdheut. Konsideroj se partia e Kurtit dhe stafi i vet janë tradhtarë të vendit”, ka deklaruar ai.
Klinaku, është intervistuar të mërkurën nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratën e tij për kryeministrin Kurti, e cila u vlerësua si kërcënim ndaj tij.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Klinaku, duke bërë të ditur se ai është intervistuar në prani të avokatit të tij, duke mos dashur të japë më shumë detaje.
Klinaku ka ndarë dje në rrjetin social në Facebook një bisedë që ka pasur me një votues të Kurtit, ku, ndër të tjera, ka thënë se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.