Nga Osman Stafa
“Duhet të ishte duke jetuar fëmijërinë e tij, por varfëria, pamundësia, u bënë shkak që Roani të niste shpejt punën. Ai ndërroi jetë duke qenë në punë në një lavazh në Dimal. Ai ra në kontakt me rrymën elektrike. Fatkeqësi e madhe. Trishtim i madh. Të plas shpirti kur e mendon. Ai djalë duhet të ishte duke bërë përgatitjen për gjimnaz, duhet të ishte duke bërë pushimet e verës!
Por, jo. 14, 15, 16, 17-vjeçarët në Shqipëri punojnë. Punojnë se janë të varfër. Fusin ndonjë lekë në shtëpi se familjet nuk ia dalin. A e dini se çdo restorant, kafe, lavazh, hotel, kanë të punësuar fëmijë?
Po, po, fëmijë. Fëmijë, se të tjerët, më të rriturit, kanë ikur. Kanë ikur se kanë kuptuar se ky vend me rrogën që të jep nuk nxjerr dot shpenzimet mujore, e jo më të çosh lekë në shtëpi. Dhe radha u ka ardhur fëmijëve. Nuk ka prind që kërkon të çojë fëmijën e tij drejt vdekjes. Të pashpresë e çojnë drejt punës. Me shpresën t’u bëhet krah.
Këto nuk janë familje që vjedhin lekë, që rrinë në punë prej partisë, prej mikut, këto janë familje që me djersë e punë, mbajnë shpirtin e tyre dhe jetojnë sotin. Se për të ngritur pasuri e mirëqënie as bëhet fjalë. Nuk të del, jo. Dhe Roani nuk ka pasur fatin që çdo gjë duhet t’ia mundësonin të tjerët. Familja e tij s’mundej. Dhe ai nisi të mundohej t’ja dilte vetë. Po, me pak. Duke punuar në lavazh.
Fëmijët si Roani janë të shumtë. Ju i keni parë vetë kudo. Ata nuk dinë se ç’është rritja ekonomike, ata nuk dinë ç’është politika e madhe, as rritja e rrogave e deputetëve, e presidentit, as e ministrave. Fëmijët si Roani janë të pafajshëm. Si pasojë e politikës së madhe, ata janë aty në punë dhe nuk ankohen, por ulin kokin dhe mundohen t’i dalin për zot familjes dhe vetes.
Trishtim i madh për Roanin.
Ngushëllime familjes. Nuk ka fjalë që të thuash, veçse qoftë në paqe!”